E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligji për përgjime “shpullë” liberalizimit

Miratimi i mundshëm i Projektligjit për përgjimet e telekomunikimeve, përveç se do t’i mundësojë Qeverisë së Kosovës që të kontrollojë tërësisht bisedat telefonike të qytetarëve, ai gjithashtu do ta largojë vendin nga liberalizimi i vizave dhe integrimi në Bashkimin Evropian.
Kështu vlerësojnë ekspertët e sigurisë dhe deputët opozitarë, të cilët tërheqin vërejtjen se drafti i projektligjit në fjalë, që është sponsorizuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, nuk përkon as për së afërmi me qeverisjen e vendeve perëndimore dhe demokratike.

“Zëri” ka raportuar për prapaskenat e qeverisë që ta “kontrabandojë” këtë projektligj, për shqetësimet dhe vërejtjet e bashkësisë ndërkombëtare, përkatësisht të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, të EULEX-it dhe OSBE-së, për sugjerimet e tyre dhe për dallimet ekstreme mes projektligjit të sponsorizuar nga kryeministria dhe atij që është sugjeruar nga bashkësia ndërkombëtare.

Ndërkaq, derisa opozita dhe shoqëria civile kritikojnë këtë dokument, drejtuesit e Qeverisë së Kosovës premtojnë se nuk do të bien ndesh me sugjerimet e bashkësisë ndërkombëtare.

Drejtori ekzekutiv në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, Florian Qehaja, thotë se neni 4 i këtij projektligji, i cili parasheh që përgjimet të bëhen nga një qendër brenda Agjecionisë Kosovare të Inteligjencës e rregullon fushën e përgjimeve krejtësisht ndryshe nga vendet demokratike, dhe e centralizon këtë fushë.

“Projektligji si i tillë është bërë nën ndikimin e emocioneve edhe nën ndikimin e rasteve të fundit që kanë të bëjnë me rrjedhën e përgjimeve (skandalit të përgjimeve). Te ky projektligj problemi i vetëm është Qendra Administrative, dhe kjo tregon se Qeveria e Kosovës me vetëdije e ka krijuar një problem, dhe i ka dhënë material Komisionit Evropian që ta vërë edhe një kriter, një parakusht për Kosovën për liberalizim të vizave”, thotë ai.

Sipas tij, ligji duhet ta parashohë themelimin e një Qendre Administrative, por ajo nuk duhet të jetë pjesë e AKI-së, por e ndonjë institucioni tjetër, siç mund të jetë Këshilli i Sigurisë Kombëtare, dhe aty, siç thotë ai, Qendra duhet të funksionojë në dy kanale të ndara, përkatësisht të ndahen përgjimet që i bënë inteligjenca dhe ato që i bënë policia, dhe jo të gjitha përgjimet të kontrollohen dhe bëhen nga një inspektor i përgjithshëm, siç e ka paraparë qeveria në draft të projektligjit.

Projektligji për përgjimet e telekomunikimeve, aktualisht është duke u shqyrtuar nga deputetët anëtarë të Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri. Kryetari i këtij komisioni, Ahmet Isufi, thotë se ky dokument është duke u shqyrtuar dhe njëkohësisht janë duke u marrë vërejtjet e të gjithë faktorëve, përfshirë edhe ndërkombëtarët.

“Të gjitha vërejtjet që mund t’i marrim nga mekanizma vendorë dhe ndërkombëtarë do t’i shqyrtojmë në dy komisionet, të sigurisë dhe të inteligjencës, në mënyrë që ta kemi një ligj të zbatueshëm dhe që mbron interesat e qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës. Do të konsultohemi me të gjitha palët e pastaj do të fillojmë me shqyrtimin e projektligjit”, thotë ai, duke shtuar se projektligji do të amendamentohet në shumë pika.

Por shumë kritik në raport me këtë projektligj është deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, sipas të cilit, qeveria po përpiqet që ta kalojë një ligj në Kuvend, dhe më pas mbi bazën e tij të përgjojë secilin qytetar pa asnjë lloj kriteri.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se Qeveria e Kosovës do ta bëjë Projektligjin për përgjimet e telekomunikimeve në përputhje me sugjerimet e ndërkombëtarëve.

“Çdo sugjerim të BE-së dhe EULEX-it do ta pranojmë dhe kemi kërkuar nga ata që t’i harmonizojnë qëndrimet dhe t’i japin vërejtjet e tyre. Ligji do të jetë sipas standardeve të BE-së”, është përgjigjur Kuçi nëpërmjet mesazhit telefonik./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›