E Enjte, 5 Nëntor 2026

Mjekët dhe infermierët e qendrave shëndetësore verore: Shërbime cilësore për turistët

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Në 34 qendrat shëndetësore verore mjekët dhe infermierët janë  shërbim të turistëve përgjatë gjithë sezonit turistik.

Ministrja e shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot në rrjetet sociale një video të mjekëve dhe infermierëve, që po shërbejnë në Qendrën Shëndetësore verore në jug të vendit.

Doktoreshë Denada Bule në qendrën shëndetësore verore Drimadhë tha se “në qendrën tonë që funksionon vetëm gjatë sezonit të verës kemi trajtuar pacientë që kanë pasur si shqetësime akute edhe riaktivizime të sëmundjeve kronike. Kryesisht janë gastroenterite, që janë të shpeshta në verë, por edhe bronkite, pneumoni etj. Kemi trajtuar edhe emergjenca si trauma, aksidente etj”.

“Momentalisht fluksi po shtohet dhe puna po vazhdon dhe po rritet. Ne jemi në shërbim 24/7 për të dhënë maksimumin tonë”, tha ajo.

Enea Rakipi , infermier në qendrën shëndetësore verore Palasë tha se “fluksi ka ardhur duke u rritur si i turistëve të huaj, por edhe shqiptarë. Po ashtu shërbim marrin dhe persona që janë rezidentë në zonën e Palasës. Qendra shëndetësore është e pajisur me të gjitha medikamentet dhe ofron kushtet për një shërbim cilësor të plotë”.

Doktoresha e qendrës shëndetësore verore në Orikum tha se “në qendrën tonë javën e kaluar janë trajtuar 270 pacientë nga të cilët 41 raste të pacientëve të huaj. Kemi pasur raste edhe nga aksidentet, mbytjet, infraktet etj”.

Dokoreshë Aliona Mustafarai në qendrën shëndetësore verore në Radhimë tha se “sot kishim rastin e një pacienteje turke, e cila erdhi me dhimbje abdominale dhe pas marrjes së trajtimit të duhur ndihet më mirë”.

Nga 1 qershori deri më 14 korrik janë kryer 22 406 vizita në 34 qendrat shëndetësore verore në të gjithë vendin.

/k.s/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›