Mjekët në terror pas ngjarjes
Vrasja çorientoi për afro 30 minuta të gjithë punën në Spitalin e Durrësit, një nga më të mëdhenjtë në Shqipëri. Mjekë, infermierë, laborantë, sanitarë etj., qanin nëpër korridore kolegun e tyre, që u nda nga jeta aq tragjikisht. E rëndë ishte pamja në sallën e skopisë, atje ku pas përfundimit të akt-ekspertimit nga policia tre infermiere ishin ngarkuar me detyrën e pastrimit të sallës nga gjaku. Infermiereve u dridheshin duart dhe sytë i kishin plot lot. “Si mund të ikë një jetë njeriu në këtë mënyrë”, thoshin me zë të mekur teksa fshinin lotët. Mjekët e Durrësit janë terrorizuar dhe kanë frikë të ushtrojnë profesionin. Kështu shprehet doktor Gazmend Demiri, i cili gjithsesi nuk pranoi të japë asnjë prononcim tjetër. Të gjithë mjekët pa përjashtim duan që policia e shtetit të jetë prezent në spital (institucioni ruhet aktualisht nga policia private).