Ekzekutohet në spital radiologu
DURRES/ OERD ULQINI
Një ekzekutim barbar, me plumba pistolete në kokë e në trup, i ka marrë jetën mjekut radiolog të spitalit të Durrësit, Fatmir Thaçi.
Atentatori është 46-vjeçari Ali Lorja, i cili i shtyrë nga xhelozia e sëmurë për gruan e vdekur prej 4 muajsh, ka kryer me gjakftohtësi krimin. Ky i fundit sapo ka zbrazur pistoletën në tëmthin e doktorit, ka hedhur armën tutje, duke pritur me qetësi prangat në sallën e radiologjisë. Ngjarja rrëqethëse është konsumuar në orën 9 e 30 minuta të mëngjesit, në zemër të spitalit të Durrësit. Në vendngjarje në momentin e krimit veç viktimës dhe atentatorit, ka qenë edhe ndihmësmjeku i skopisë, të cilit i ka rënë të fikët teksa ka parë ekzekutimin e eprorit të tij. Ndërkohë që jashtë derës, një numër i madh bluzash të bardha dhe pacientësh, në pritje të ekzaminimeve kanë dëgjuar gjithçka. Pas të shtënave dera e skopisë është hapur me forcë nga dëshmitarët jashtë, të cilët kanë mbyllur sytë për të mos parë skenën. Trupi i pajetë i doktorit gjendej mbi aparaturën e skopisë, ndërsa gjurmët e gjakut ishin shpërndarë gjithandej, mbi pllaka dhe mure. Mbi dritare gjendeshin syzet optike të radiologut, ndërsa dhjetëra ekzaminime grafie kishin marrë dhenë. Sipas policisë së Durrësit, motivet e këtij krimi janë tejet të dobëta. Hetuesit e policisë zbardhën faktin se dy familjet Lorja dhe Thaçi, të cilat ishin me origjinë kosovare kishin pasur hyrje-dalje të shumta familjare. Pak sekonda para se të shkrepte këmbëzën e pistoletës, atentatori i tha doktorit me zë të lartë fjalët: “Siç i le jetim ti fëmijët e mi, ashtu do të le edhe unë të tutë”. Pas këtyre fjalëve u dëgjuan disa krisma të shpejta, të cilat terrorizuan krejt spitalin e Durrësit. Por policia mendon se motivet e vrasjes janë të dobëta dhe këtu ka ndikuar edhe gjendja e rënduar psikologjike e Aliut, të cilit në korrik të këtij viti iu vetëvra e shoqja, ndërsa brenda një kohe të shkurtër i vdes edhe i ati. Sipas mjekëve të Spitalit të Durrësit, vrasja e radiologut ka qenë e paralajmëruar. Menjëherë pasi bashkëshortja e tij Liljana Lorja ndërroi jetë, Aliu e kishte cilësuar fajtor mjekun që dikur e kishte mik shtëpie. Dëshmitarët në Urgjencën e Spitalit të Durrësit thonë se, “edhe një herë tjetër Aliu kishte hyrë me forcë në spital, duke kërcënuar dhe rrahur radiologun Thaçi, por ka qenë ndërhyrja e kolegëve të doktorit ajo që ka parandaluar më parë krimin”. Burimet thanë se rreth një muaj më parë Aliu e kishte përplasur doktorin me forcë, duke e kërcënuar më pas me jetë. Megjithatë, në asnjë rast doktori nuk kishte kërkuar ndihmën e policisë. Mëngjesin e së premtes, Ali Lorja hyn në spital, duke u shtirur si pacient që kërkon të ekzaminohet. Ai fillon të ecë dalëngadalë, duke marrë drejtimin për në sallën e radiologjisë. Hyn jashtë radhe, duke i thënë të tjerëve se “kishte një problem me doktorin”. Askush nuk e dinte se poshtë bluzës ndodhej një armë zjarri me karikatorin plot. Por bluzat e bardha me ta njohur personin për precedentin e mëparshëm lajmëruan policinë. Kjo e fundit niset me shpejtësi marramendëse drejt spitalit, kur krimi nuk kishte ndodhur akoma. Në momentin që policia ndodhej tek dera e spitalit, dëgjohen krismat dhe pas 10 sekondash atentatori arrestohet në kushtet e flagrancës, pa bërë as rezistencën më të vogël ndaj përfaqësuesve të rendit.
Pacientët u larguan shpejt
Dëshmitari: Tmerr në zyrën e mbytur në gjak
S.K., 17 vjeç, ka qenë një ndër dëshmitarët e shumtë që dëgjuan nga jashtë krejt ngjarjen. Adoleshenti po shoqëronte për diagnostikim të ëmën e sëmurë dhe ndodhej në radhë për analizë. I tmerruar ende nga skena që pa ai thotë se e ka fiksuar autorin që u fut i vetëm në sallën e skopisë. “U fut jashtë radhe, por asnjë nga ne nuk kundërshtoi, kujtuam se bëhej fjalë për ndonjë gjë të zakonshme që ndodh shpesh në spitale. Gjithçka ndodhi në pak sekonda. Shkëmbyen disa fjalë të rënda dhe më pas vrasësi i tha doktorit se “kështu edhe fëmijët e tu do mbesin jetimë, si të mitë”. Dëgjova tri krisma të forta. Aty kuptuam se bëhej fjalë për atentat. Të gjithë u lemerisëm, unë shtrëngoja në krahë mamanë e sëmurë, por për fat shumë shpejt erdhi policia, duke i vënë në çast prangat”. Bashkë me të ëmën e pacientë të tjerë ai u largua në mjedise të tjera të spitalit për t’u qetësuar.