E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjeshtri i mozaikut

Piktori shqiptar Saimir Strati ka thyer edhe një rekord Guinness. Një mozaik i punuar nga një milionë kokrra kafeje, i cili paraqet pesë muzikantë, të hënën u regjistrua në librin e rekordeve Guinness si mozaiku më i madh në botë i punuar me kokrra kafeje.

‘Një botë, një familje, një kafe’. Kjo ka qenë tema e mozaikut me kokrra kafeje të Saimir Stratit, i cili të hënën u regjistrua në librin e rekordeve Guinness si mozaiku më i madh në botë i punuar me kokrra kafeje. Për Stratin ky nuk është çmimi i parë por i gjashti. Më parë ai ka bërë edhe pesë mozaikë të tjerë, të cilët kanë hyrë në librin e rekordeve Guinness.

Mozaiku i Stratit ka tërhequr vëmendjen e mediave të shumta ndërkombëtare, të cilat e kanë përcjellë ceremoninë në Hotel Rogner në Tiranë, ku e pranishme ishte edhe Seyda Subasi Gemici, përfaqësuese e “World Records Guinness”, e cila kishte mbërritur në Tiranë enkas për këtë rast.

Këtë lajm e kanë dhënë pothuajse të gjitha mediat botërore, prej agjencisë Reuters e deri të Hindustan Times apo agjencia kineze e lajmeve Xinhua.

Strati përdori 140 kilogramë kokrra kafeje, disa të pjekura me ngjyrë të zezë, të tjerat mesatarisht të pjekura dhe të papjekura, për të portretizuar një valltare braziliane, një daullexhi japonez, një këngëtar amerikan të muzikës country, një fizarmonicist evropian dhe një daullexhi afrikan.

“Mesazhi që kam dashur të jap është se të japësh dashuri me një filxhan kafeje na bënë të ndjehemi më afër njëri-tjetrit, një filxhan kafeje na sjell më shumë dashuri se një takim i G20-shes”, tha Strati për agjencinë e lajmeve Reuters.

Anëtarja e jurisë e Guinness-it, Seyda Subasi Gemici tha se Stratit i është kërkuar të punojë publikisht dhe mozaiku, i kompozuar nga kokrrat e kafesë, duhej të kishte përmasat prej 25 metra katrorë. “Mund të them se të gjitha udhëzimet janë respektuar. Dhe matja ime përfundimtare tregon se mozaiku ka përmasat 25.1 metra katrorë”, tha ajo.

Strati tha se me mozaikun e tij të fundit, i cili është sponsorizuar nga Lori Cafe, një prej kompanive kryesore të kafesë në Shqipëri, ka dashur të shpërndajë mesazhin e “një bote, një familjeje, në një filxhan kafeje”.

“Sa më pak që dëgjojmë për luftën dhe krizën ekonomike dhe sa më shumë që dëgjojmë për dashurinë mbi një filxhan kafeje, aq më e vogël do të ishte bota, mu sikurse një kokërr kafeje”, tha Strati për agjencinë kineze të lajmeve Xinhua.

Pesë rekordet e mëhershme botërore të Guinness-it, të cilët i ka mbledhur Strati, janë një portret i piktorit të njohur italian Leonardo da Vinçi i bërë në vitin 2006 me 500 mijë gozhda, një kalë, i quajtur Shpirti i pafre, i punuar një vit më vonë me një milionë e gjysmë kruese të dhëmbëve, për të vazhduar në vitin 2008 me mozaikun e quajtur ‘Romeo me një kurorë hardhie, duke luajtur në kitarë, derisa kërcen me detin dhe diellin’, të cilin e ka punuar me 229,764 tapa të shisheve të verës të formave dhe madhësive të ndryshme. Ky punim paraqet një homazh të jetës përreth Mediteranit.

Mozaiku i katërt, me të cilin Strati hyri në librin e rekordeve Guinness, është ai që prezanton këngëtarin e ndjerë Michael Jackson duke kënduar, i cili është bërë në vitin 2009 me 230 mijë brusha të ngjyrave të ndryshme të pikturimit. Ndërsa i pesti Guinness për Stratin erdhi në vitin 2010 me një kartëmonedhë 12.5 metra katrorë të punuar me vida metalike në hollin e Teatrit Kombëtar në Tiranë, të cilin ua ka dedikuar artistëve të këtij teatri.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›