E Diel, 1 Nëntor 2026

Mladenov pret Haxhinaston: Integrimi, jo peng i politikës

Numri dy i qeverisë shqiptare vlerësoi se klima e dialogut politik midis dy vendeve duhet të përkthehet në një bashkëpunim konkret në përftim të përbashkët.

Ai theksoi rëndësinë e thellimit të këtij bashkëpunimi edhe për çështje të integrimit rajonal. Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se ekzistojnë mundësi të pashfrytëzuara për forcimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, duke e vënë theksin në projektet e infrastrukturës, të energjisë, turizmit, arsimit. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm bullgar, Mladenov, vlerësoi reformat dhe arritjet e Shqipërisë dhe u shpreh se qytetarët shqiptarë meritojnë të marrin mesazhin nga BE, që janë pjesë e procesit të integrimit evropian. Ky proces nuk duhet dhe nuk mund të mbetet peng i politikës së brendshme, u shpreh ai. 

Bashkëbiseduesit rikonfirmuan vullnetin e përbashkët për mbylljen e procedurave të marrëveshjeve dypalëshe që ndodhen në proces.  Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij bullgar, Haxhinasto deklaroi se "kemi rënë dakord për të përfunduar një sërë marrëveshjesh, që tashmë janë në fazën e tyre përfundimtare, pra për t’i nënshkruar dhe për të koordinuar punën me anë të komisioneve, për t’i dhënë një nxitje më të madhe shkëmbimeve të biznesit". 

Gjithashtu kryediplomati shqiptar bëri të ditur se u diskutua edhe "për një koordinim të mëtejshëm, të diplomacive-asaj shqiptare dhe bullgare,  me qëllim që të krijojmë sinergji pozitive për të gjithë rajonin, që ai të ecë si një i tërë drejt BE-së."

Gjatë qëndrimit në Sofje, Haxhinasto, pati një takim edhe me Kryetaren e Parlamentit të Bullgarisë, Tsetska Tsacheva, ku është diskutuar për bashkëpunimin ndërparlamentar.  /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-07-25 17:50
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›