E Diel, 1 Nëntor 2026

Mlladiç deklarohet i vdekur



Avokati i familjes së të kërkuarit të Hagës, Ratko Mladic, të akuzohet për gjenocid, ka dorëzuar të mërkurën kërkesën në Gjykatën e Parë Themelore në Beograd që ai të shpallet i vdekur. Pas dy javësh pritjeje Kuvendi Komunal i Kalinovik familjes Mladic të hënën ia lëshoi çertifikatën e lindjes së Ratko Mladic, duke siguruar kështu kushtet formale për inicimin e kërkesës. Avokati i familjes Mladic, Milos Saljic, deklaroi për mediat serbe se pret që për një vendim të plotfuqishëm gjyqësor do të duhen të paktën 5-6 muaj. "Sot po dorëzojë shkresën, propozimin për shpalljen e një personi të zhdukur për të vdekur", pohoi Saljic, duke shtuar se tani i mbetet gjykatës që të sigurojë dokumentacionin në bazë të të cilit familja Mladic po synon që ta bazojë arsyeshmërinë e kërkesës.
"Kërkoj që të sigurohet dokumentacioni mjekësor dhe të sigurohet qasje në shkresën penale që udhëhiqet në Gjykatën e Parë Themelore në Beograd kundër shpalljes së Ratko Mladic për të vdekur, se e njëjta s'ka lidhje me kërkimin e disa personave, të ashtuquajtur ndihmës, që ishin të fundit që kishin kontakte me Mladic, nga i cili tash shtatë vjet s'ka asnjë gjurmë dhe të cilin askush nuk e ka parë. Herën e fundit është parë në shkurt të vitit 2003", theksoi Saljic, duke vlerësuar se koha brenda të cilës pritet përgjigja e gjykatës nuk do të jetë aq e shpejtë. Që kur familja Mladic paralajmëroi se do të kërkojë që ai të shpallej i vdekur, në fund të muajit maj, zyrtarët serbë reaguan se kjo kërkesë, madje qoftë edhe nëse shndërrohet në vendim, nuk do ta ndalojë kërkimin e Ratko Mladic, që Gjykata e Hagës e kërkon për gjenocid.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›