Mo Yan sjell librin e ri

Bazuar në raportimin e agjencisë së lajmeve kineze “Xinhua”, libri ishte parashikuar të botohej qysh para një muaji, por është pritur vendimi i Akademisë Suedeze, e cila me datën 11 të këtij muaji i kishte ndarë shkrimtarit kinez çmimin prestigjioz për letërsi, me arsyetimin se Mo Yan në veprat e tij bën “ndërthurjen e realizmit me halucinacionet, folkun dhe bashkëkohoren”.
Çmimi më prestigjioz në letërsi ka një vlerë monetare prej 1,2 milionë dollarësh. Libri i ri i Mo Yan është një histori e Jing Ke, një aziatik i famshëm për dështimin e tij në vrasjen e mbretin, i cili më vonë do të bëhej perandori i parë i Kinës. Ngjarja zhvillohet 2 mijë vjet më parë. “Historia vjen në një perspektivë të re. Natyrisht në stilin mahnitës të Mo Yan”, ka thënë Chen Liming, drejtues i Bordit të shtëpisë botuese në Kinë. Sipas tij, libri sjell një rrëfim i cili nuk bën të humbet.
“Në roman, tentimi i Jing Ke për të vrarë mbretin është interpretuar si një rezultat i dëshirës së tij për famë të menjëhershme sesa një rezultat i kalorësisë dhe altruizmit”, ka thënë Chen. Ai nuk ka treguar më shumë se cili është rrëfimi i dy pjesëve të tjera të romanit. Por Chen ka paralajmëruar se një antologji e re e veprave të Mo, një kombinim mes romaneve dhe eseve do të botohet në fund të këtij muaji.
Publikimi i veprave të Mo Yan vjen furishëm pasi që ai fitoi çmimin “Nobel”. Në libraritë e Kinës ka dy ditë që nuk mund të gjenden kopje të librave të autorit, pasi ato janë shitur gjatë së enjtes mbrëma dhe të premten në mëngjes. Zhang Xuanyang, botuesi dhe menaxheri i shkrimtarit, i ka thënë “China Daily” se më shumë se 20 kompani ndërkombëtare që merren me botime në Evropë dhe Amerikë, po kërkojnë veprat e shkrimtarit të parë kinez që fitoi “Nobel”. Por kjo nuk është e tëra. Ka edhe të tjera kompani të interesuara për Mo Yan. “Mbi dhjetë kompani të telekomit dhe operatorëve të sajteve që shesin libra online janë interesuar për të marrë të drejtat autoriale për librat e Mo”, ka thënë Zhang.