Moda e Tiranës në fokus
Tirana Street Style është blogu që paraqet me anë të fotove, mënyrën se si vishen kryeqytetasit. Foto janë të bëra në rrugë duke përzgjedhur jo njerëz publik, jo modelë, por njerëz të thjeshtë, të panjohur, por që janë të veshur bukur. Kristi Mollaj, personi që menaxhon këtë blog thotë se njerëzit përzgjidhen rastësisht në rrugë. Nëse dikush më tërheq syrin dhe shoh elemente stili tek ai person, i kërkoj ta fotografoj, shprehet 19-vjeçarja. Ky blog është i pari në llojin e tij në të gjithë Shqipërinë dhe paraqet më së miri modën që ndjekin kryeqytetasit. Blogu është një dokumentim i stilit urban të Tiranës, pra, përkthyer fjalë më fjalë “moda e rrugës”, ajo çka njerëzit veshin dhe si e përshtasin ata modën në trupin e tyre dhe çdo të thotë ajo për ta, thotë Kristi.
Ideja
Kisha kohë që ndiqja blogje të ngjashme dhe mendova se dhe Tirana kishte nevojë për një të tillë pasi dhe ky është një qytet si gjithë të tjerët. Mënyra se si në vendet e tjera dokumentohej moda e rrugës ishte vërtet interesante dhe mendova se ky lloj formati duhet të sillej edhe në Tiranë, meqenëse është kryeqyteti dhe qendra e të gjithë Shqipërisë, vijon 19-vjeçarja. E megjithatë, puna e saj nuk përqendrohet vetëm në një përzgjedhje të thjeshtë dhe në foto. Në blog, adoleshentja e cila vazhdon fakultetin e Drejtësisë, jep edhe këshilla lidhur me mënyrën se si duhet të vishen, si nuk duhet dhe cilat janë veshjet vërtet të këndshme për syrin. Shndërroje një veshje të thjeshtë në një veshje me stil vetëm me anë të një kravate të thjeshtë shkruhet poshtë një fotografie ku një djalë ka veshur një xhup mbi këmishë, ndërsa e gjithë veshja e tij është e shkujdesur. Më pas një rrëfim dhe përkujtim i viteve 60, si dhe fakti që moda e shkruar po i rikthehet.
E apasionauar pas fotografisë dhe modës. Kjo është ajo që e ka bërë Kristin që të vijojë një karrierë. Për dizajnin e faqes në internet e ka ndihmuar Vasjen Katro. Më pas, gjithçka e ka bërë vetë. Thotë se nuk është e lehtë të përzgjedhësh, megjithatë Tirana Street Style do të vazhdojë për një kohë të gjatë, pasi të gjitha periudhat kanë të veçantat e tyre.
Meshkujt
E pyetur nëse e ka të vështirë të përzgjedhë djem të veshur me stil dhe ti fotografojë ata, Kristi përgjigjet se meshkujt që përzgjidhen në TSS janë të paktë. Kjo për faktin se në përgjithësi ata hezitojnë të dalin jashtë kornizave të normales përsa i përket veshjes. Por në rastet që ka piketuar dikë dhe i ka kërkuar ta fotografojë, nuk ka pasur hezitime apo vështirësi për mbushamendje.
Shoqëria gjithashtu është ndihma më e madhe për shkak se i japin një sy më shumë për përzgjedhjen. Edhe ata e ndjekin gjithashtu modën. Çdo njeri është i ndikuar do apo sdo ai vetë, shprehet 19-vjeçarja.
E për tu veshur me stil, sipas Kristit, nuk ka nevojë që të shpenzosh shumë para. Natyrisht, një kombinim i mirë ka më tepër vlerë sesa një veshje e blerë në dyqane të shtrenjta. Shija është ajo që ka rëndësi.
Mësojmë se edhe Prishtina ka një blog të vetin të ngjashëm me atë shqiptar. Edhe aty dokumentimi i modës së kosovarëve bëhet njësoj (Prishtina Street Style). Ky model dokumentimi vjen nga një traditë e gjatë e cila ndiqet në të gjithë botën dhe vendet e zhvilluara. Një nga blogjet më të mëdha në botë është ai i Stokholmit (Stockholm Street Style), i cili ka vite të tëra që dokumenton modën e rrugës të suedezëve.
