E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ferid Agani rizgjidhet kryetar i PD-së

Kryetari i tanishëm i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, është zgjedhur serish në këtë post në Kuvendin e shtatë zgjedhor të kësaj partie, edhe për një mandat dyvjeçar. Ai në garën për këtë post nuk pati asnjë kundërkandidat.

Partia e Drejtësisë të dielën ka mbajtur kuvendin e saj të shtatë zgjedhor në të cilin ka paraqitur raportet e punës së kësaj partie për gjatë dy viteve paraprake si dhe ka zgjedhur kryetarin dhe kryesinë e partisë.

Nga 244 delegatë sa do të duhej të ishin, në sallë të pranishëm ishin 202 gjë që plotësonte kushtet dhe kuorumin për t`u zhvilluar tutje punimet e kongresit.

Me vota unanime Aganit iu dha edhe një mandat për të udhëhequr për dy vitet e ardhshme me Partinë e Drejtësisë.

Me këtë rast Agani ka premtuar se do të punojë me përkushtim të madh duke iu përmbajtur vlerave dhe qëllimeve të partisë, duke thënë se Partia e Drejtësisë gjithmonë ka respektuar Kushtetutën në aspektin e ndarjes së fesë nga politika.

“Këto qarqe janë munduar në tërësi deri në ditët e sotme t`ia imponojnë etiketën e partisë fetare, partisë që konceptet fetare i keqpërdor për qëllime politike, duke tentuar që të kufizojnë përkrahjen e koncepteve politike të PD-së në masën më të gjerë të qytetarëve, mirëpo ashtu sikur gjithmonë ndodh kur tentohet të thuhet e pavërteta ajo asnjëherë nuk mund t`i qëndrojë kohës. Është i mirënjohur përkushtimi i Partisë së Drejtësisë për respektimin e normës kushtetuese për sekularitetin e shtetit të Kosovës në të cilin ekziston vija e qartë e ndarjes ndërmjet procesit të vendimmarrjes me institucionet publike e shtetërorë dhe atij në institucionet e bashkësive fetare”, ka thënë Agani.

Ndërkohë që kongresi ka miratuar edhe raportin e aktiviteteve të partisë për dy vitet e kaluara dhe raportin financiar, ai po ashtu ka legjitimuar me vota unanime degën e re të PD-së në Prizren.

Partia e Drejtësisë, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës, sipas themeluesve të saj është e angazhuar për respektimin e të drejtave dhe lirive fetare të qytetarëve të Republikës së Kosovës të cilat garantohen me kushtetutë, si dhe ka për qëllim luftimin e ideologjive ekstremiste. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›