Kinemaja është e vetmja që nuk ka ndryshuar
Mishel Koçiu nuk lëvron më gazetarinë kulturore dhe skenarin mbi çështjet e kulturës që e mbajtën për 15 vjet në Radio dhe Televizionin Shqiptar. Ndërrimi i destinacionit, emigrimi në Kanada dhe kushtet e reja të punës ndërmjet këtij vendi dhe SHBA-së, nuk e larguan nga ekrani i vogël, përkundrazi, e kanë afruar më shumë drejt fictionit.
Me Kompaninë e tij FILMS 5 në Montreal, ai sapo ka realizuar metrazhin e shkurtër Birds poop shkruar bashkë me Herion Mustafaraj (aktori i filmave për fëmijë Beni ecën vetë, Tomka dhe shokët e tij etj.) Të dy erdhën në Tiranë për prezantimin e kësaj komedie të zezë tridhjetë minutëshe, pjesëmarrëse në Festivalin e Filmit.
Një agjent i rëndësishëm imobiliar dhe një financier i tradhtuar nga e shoqja, një mëngjes kryqëzohen. I pari sapo ka mbledhur forcat për të mos u vetëvrarë, i dyti nuk dihet nëse aksidenti i merr jetën. Sepse çfarë vjen pas sirenës së ambulancës është gjendje ëndrre frike dhe lumturie të tentativë. Historia ndërthur refleksionet e protagonistit (Herion Muastafaraj) me elementet e reportazhit filmik nga jeta e një qyteti të madh amerikan. Muzika e Elton Dedës dhe lirikat e Herion Mustafarajt janë një dëshmi e përjetimeve në ato rrugë, në ato ditë e net të shumë shqiptarëve të ndërdyshur si ata. Birds poop (interpretojnë Mustafaraj, Nikolin Gjoklaj dhe Kristen Lucas), film me buxhet të ulët, është realizuar i gjithë nga autorë shqiptarë që jetojnë ndërmjet Amerikës dhe Kanadasë.
Misheli thotë se bashkëpunimi me Herionin do të vazhdojë me një film të gjatë artistik. Projekti do të zhvendoset në Shqipëri vitin e ardhshëm.
Është e natyrshme që Mishel Koçiu e shfaq parodinë e tij në kinemanë e një qendre tregtare, tip kinemaje që ai e kishte parashikuar do të vinte një ditë bashkë me shkatërrimin e kinemave të Tiranës, në dokumentarin e tij Na ishte njëherë kinemaja 1995, TVSH.
E panatyrshme është që filmi tij si i shumë të tjerëve shfaqet si produkt ilegal, pa publik, pa dialog me njerëzit.
Ditët e fëminisë si një radhë zogjsh mbi një tel telefoni
kinema e vjetër, kinema e braktisur
ku prej kohësh nuk luhen më filma të përsëritur.
Dikur i keni bërë homazh kinemave të shkatërruara të Tiranës me këto vargje të Kadaresë. Sa kohë ka kaluar?
Atë dokumentar e kam bërë më 1995.
Për ti kujtuar ato kohë: çfarë lidhjesh keni pasur me kinemanë?
Ato lidhje të zakonshme si gjithë njerëzit, si ëndrra e madhe e të gjithëve, për tu bërë pjesë e saj. Shumica ëndërrojnë një ditë të bëhen të famshëm dhe një nga rrugët që të çon te fama është kinemaja. Unë kam ëndërruar të bëhesha aktor, jo për tu bërë i famshëm po sepse ti ke dëshirë tiu ngjash atyre modeleve që i sheh në një copë perdeje, në një copë ekran. Detyrimisht duke u rritur, modifikohen ëndrrat por ngelet gjithmonë ajo mundësia e padukshme që të lidh me fabrikimin e ëndrrave. Të gjithë që bëjnë art fabrikojnë një lloj ëndrre. Pata kontakt me ekranin që në moshë të re. Kalova nga Radio në Televizion dhe ai më dha mundësinë që të specializohem më tej.
Publiku ka parë gjithnjë një TVSH të mbyllur. Sa i hapur ka qenë për ju që punonit brenda?
Kam pasur fatin që nuk jam marrë asnjëherë me pjesën e shëmtuar të televizionit. Sepse televizioni ka një pjesë të shëmtuar që është marrëdhënia me politikën. Jam marrë me kulturën e cila të krijon hapësirën të vëzhgosh dhe ai emision në 95-ën ka qenë një homazh për kinemanë, por ka qenë më tepër një bërtitje shpirtërore për mungesën e kinemave në Tiranë, për degradimin e tyre, thjesht duke i parë si objekte trualli, si prona që do bëhen më pas me pallate komerciale ose me qendra të mëdha tregtare.
Dhe parashikimi u përmbush…
Ashtu ndodhi vërtet. Shenjat po dukeshin që atëherë. Marrëdhënia që kishin pronarët me objektet më shqetësonte sepse e dija që të gjithë lakmonin jo për ti kthyer në kinema, po për ti shkatërruar e për të bërë një gjë tjetër.
Tani ju vini të shfaqni filmin tuaj brenda një qendre tregtare. Çfarë raportesh ruajtët me ekranin këto vite larg Shqipërisë?
Nuk jam më i riu i dikurshëm. Është krijuar një pjekuri në raport me ekranin, me fjalën, me mesazhet. Ka ndodhur një konvertim që në njëfarë mënyrë të gjithë e ëndërrojnë kur punojnë në ekranin e vogël. Gradualisht bën një transferim të vetes në ekranin e madh i cili është shumë i mundimshëm, është një aventurë që po nuk pate mbështetjet e duhura, duhet ti bësh vetë të gjitha. Është shumë e vështirë në art të fillosh të punosh për vete. Sot kam krijuar një kompani filmike në Montreal e cila simbolikisht quhet Films 5, sepse ne jemi pesë vëllezër. Prodhoj TV, videoklipe, etyde filmikë për televizione dhe dokumentarë të cilët kanë një koncept tjetër nga prodhimi i këtushëm.
Me Herion Mustafarajn realizuat filmin e shkurtër Birds poop. Në fakt më shumë se sa film është një poemë urbane.
Kjo si aventurë ka lindur fare rastësisht. Unë merrja pjesë në vizionimin e një teatri në Nju Jork ku u takova me Herionin. Filmi është një komedi e zezë sepse ka të bëjë me raportin që krijon njeriu me fatin. Titulli është Glasa, një lloj metafore për një film konvencional. Jetojmë në një kohë të tronditjes së madhe të ëndrrës amerikane kur u vunë në pikëpyetje pensionet e njerëzve, kursimet, ndodhën falimentime gjigante bankash. Shumë njerëz pyesin ia vlen të jesh amerikan apo nuk ia vlen. Protagonisti është përfaqësues i këtij Uollstriti dhe qesharakja është që ky gjithçka e lidh me një glasë.
Po edhe me idenë e një njeriu të fuqishëm që një ditë do të vijë ti shpëtojë jetën. Edhe ky njeri sapo ka shpëtuar nga një humnerë. Është po aq parodi.
Ky personazh që shpëton për të nëntën herë nga vetëvrasja e bën këtë ritual sa herë që humb lekë të rëndësishëm. Përpiqet të gjejë një shkak që të shpëtojë gjersa shkon drejt fundit dhe e prek vdekjen në tragjedinë e një tjetri. Kjo e bën të reflektojë.
Ju e mbyllni këtë kryqëzim fatesh me fjalët: Mos e kërkoni Amerikën: unë jam Amerika, ngrihem, rrëzohem, e kap veten prapë, ndërsa e ecura e personazhit është e Çarli Çaplinit. Përse?
Sepse është njeriu që është tallur më shumë me Amerikën dhe është njeriu më amerikan i të gjitha kohërave. Birds poop është mesazh për paranojën e një rënie nga një shkëlqim i dikurshëm, për mënyrën se si konceptohet jeta ekonomike.
Xhirimet e filmit janë bërë në Nju Jork, në Harlem, dhe në Manhatan. Dhe ideja është për ta sjellë kohën filmike të një qyteti që nuk fle 24 orë.
Një qytet nuk zgjohet duke bërë gjëra gjigante, zgjohet me elementë shumë të vegjël, me një njeri që vrapon, me një njeri që hap dyqanin, që nxjerr qenin për shëtitje, një njeri që sjell gazetën. Janë kapur gjithë këto elementë. Është një kamera dokumentare-artistike që pa fjalë dokumenton një të përditshme.
I vetmi amerikan në film është një portret vëzhgues. Gjithë të tjerët duket qartë që janë emigrantë.
Amerika është një komunitet emigrantësh dhe jemi kujdesur që në film të jetë pikërisht kështu. Reagimi kur është shfaqur filmi ka qenë ky: ne kujtojmë se i vetmi shqetësim që kanë emigrantët është si të sigurojnë bukën e gojës. Nuk e dinim që emigrantët e rinj paskan të njëjtat shqetësime që kanë dhe amerikanët!
Personalisht unë nuk e mendoja ta lija Shqipërinë. Gjithë vitet e mia të para më dukej sikur isha me shërbim e do të
