E Shtunë, 31 Tetor 2026

Modeli ekonomik i Shqipërisë, Berisha i ftuar i Sarkozisë

Kryeministri Berisha do të paraqesë sot në Francë modelin liberal ekonomik të Shqipërisë, ku do të marrë pjesë në Seminarin “Bota e Re 2012: Rritje, Ndryshim, Risi”, i cili do të zhvillohet në Paris në datat 5 dhe 6. Seminari organizohet nga ministri francez i Energjetikës, zoti Eric Besson, nën kujdesin e Presidentit, Nicolas Sarkozy. Në këtë seminar do të diskutohet për modelet e reja të rritjes ekonomike, për fuqitë e reja ekonomike në botë dhe mbi vlerat e reja që duhet të ketë bota mbas krizës ekonomike e financiare, si dhe mbi rolin e Europës në ekuilibrat e rinj ndërkombëtarë. Kryeministri Berisha është i ftuar nderi në këtë seminar dhe do të mbajë një fjalë në ditën e parë të punimeve të tij në panelin me temë “Cilat janë fuqitë e reja?”, i cili synon të vërë në pah ato vende, ekonomitë e të cilave njohën rritje ekonomike, në kuadrin e përgjithshëm të krizës dhe të recesionit ekonomik botëror. Gjatë fjalës së tij, kryeministri do të paraqesë modelin liberal ekonomik të ndjekur nga qeveria shqiptare dhe reformat strukturore të bëra prej saj, si çelësi i suksesit ekonomik të Shqipërisë dhe faktorët themelorë që Shqipëria i rezistoi krizës ekonomike financiare botërore, duke pasur rritje ekonomike. Ndërkohë, kryeministri Berisha do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenti i Republikës Franceze, zoti Nicolas Sarkozy, për nder të pjesëmarrësve në seminar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›