Sekretet në varësi të Berishës

Kryeministri Berisha
INSTAT e Prokurimi Publik do varen nga kreu i qeverisë.
Kryeministri Sali Berisha merr në varësi të tij INSTAT-in, Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) dhe Komisionin e Prokurimit Publik. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, e para për vitin 2012, janë miratuar tri vendime, ku DSKI-ja dhe Komisioni i Prokurimit Publik ndryshojnë varësinë nga Këshilli i Ministrave në atë të Kryeministrit, ndërsa INSTAT nuk e kishte të përcaktuar më parë në ligjin e tij se nga kush varej. Konkretisht, në ligjin Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror, është ndryshuar paragrafi i parë i nenit 25, në të cilin më parë thuhej se: Për të organizuar, drejtuar e kontrolluar masat për ruajtjen, klasifikimin dhe administrimin e informacionit të klasifikuar krijohet Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) pranë Këshillit të Ministrave. Pas ndryshimeve të miratuara dje, ky institucion ka kaluar si institucion në varësi të Kryeministrit. Një tjetër vendim i miratuar ishte ai për Institutin e Statistikave (INSTAT). Në nenin 9 të ligjit të vitit 2004 Për statistikat zyrtare përcaktohet se INSTAT është person juridik publik. Sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave thuhet: Në fund të pikës 1 të nenit 9, të ligjit nr.9180, datë 5.2.2004, Për statistikat zyrtare, pas fjalëve person juridik publik … shtohen , në varësi të Kryeministrit. Ky vendim i qeverisë pritet të nxisë reagimin e opozitës, e cila disa herë radhazi ka kritikuar shifrat e publikuara nga INSTAT për rritjen ekonomike në vend. Sipas opozitës, ky institucion është vënë tërësisht në varësi të qeverisë dhe shifrat e nxjerra prej saj janë të manipuluara. Vendimi i tretë i këtij lloji i Këshillit të Ministrave ka të bëjë me Komisionin e Prokurimit Publik. Në nenin 19/1 të ligjit 2006 Për prokurimin publik thuhet se Komisioni i Prokurimit Publik është person juridik publik në varësi të Këshillit të Ministrave, që financohet nga buxheti i shtetit. Pas ndryshimit të këtij neni, ky komision do të jetë në varësi të Kryeministrit.
DISK
Drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) emërohet nga Kryeministri. DISK mbikëqyr rregullat e sigurimit fizik, ushtarak dhe elektronik të informacionit të klasifikuar, si dhe të anës teknike të marrjes, përpunimit, administrimit dhe arkivimit të tyre. Gjithashtu DISK i propozon Këshillit të Ministrave akte nënligjore për çështjet që lidhen me ruajtjen e informacionit të klasifikuar.
Flet ish-kreu i shërbimit sekret
Klosi: Vendimi, për të shmangur diskutimet në qeveri

Fatos Klosi
Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, shprehet se vendimi djeshëm i qeverisë për ta kaluar Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) nga varësia e Këshillit të Ministrave në varësinë e Kryeministrit është bërë vetëm për të shmangur diskutimet në qeveri. I kontaktuar nga gazeta Panorama për të komentuar aktin e miratuar dje në qeveri, ai u shpreh se vendimi, gjithsesi, nuk parashikon ndonjë ndryshim të madh. Unë nuk shoh ndonjë ndryshim të madh në këtë rast. Normalisht, vartësia më e mirë do të ishte nga Kryeministri sepse ai merret me gjërat konkrete. Këshilli i Ministrave në përgjithësi nxjerr vendime, kurse aty problemet janë konkrete. Nuk shoh ndonjë ndryshim të madh. Kot nuk është bërë, kjo është e vërtetë, u shpreh ish-kreu i SHISH-it. Sipas tij, në rastin konkret, në Këshillin e Ministrave kurrkush nuk guxon të thotë ndonjë fjalë kundër. Ai e ka marrë më direkt, që gjërat të mos bëhen me debat në Këshillin e Ministrave, por ti analizojë vetë dhe ti vendosë vetë. Më shumë për të mos qenë i detyruar të japë shpjegime në Këshillin e Ministrave pse e bëri këtë apo pse e bëri atë. Nuk ndryshon ndonjë gjë të madhe në këtë rast, thjesht lehtëson punën e tij.
ADI SHKEMBI