Leskaj: Nano President? Duhet proces, jo qoka

Valentina Leskaj
Flet anëtarja e Kryesisë së PS-së.
Edhe ata që ishin partizanë të ndryshimeve Kushtetuese e pranojnë se sduheshin bërë
Anëtarja e Kryesisë Socialiste, Valentina Leskaj, shprehet se Presidenti i ri kërkon një proces që do të japë zgjidhje dhe jo plotësim qokash apo emrash të veçantë. Në një intervistë për Panorama, Leskaj shprehet dhe për ndryshimet kushtetuese, rolin e opozitës në plotësimin e 12 prioriteteve të BE-së dhe pozicionin e saj përballë aleatëve të koalicionit opozitar.
Zonja Leskaj, Parlamenti shqiptar mbylli sesionin dimëror me një finale pozitive, ku maxhoranca dhe opozita bashkuan votat në disa ligje. Votimi i Avokatit të Popullit dhe i disa kodeve që kërkonin 3/5 e votave konkretizuan nisjen e një marrëveshjeje dypalëshe. Si e vlerësoni rolin e opozitës pas shtatorit në Parlament?
E vërteta është se roli ynë në Parlament shkon përtej bashkimit të votës për disa ligje. Ajo që na diferencon sot, lidhet me vlerësimin e ndryshëm që ne dhe PD kemi për rolin e Parlamentit. Unë do ta quaja finale pozitive mbylljen e një sesioni në kushtet e një Parlamenti ku funksionon sistemi, nëse do kishim një parlament që flet për njerëzit jo për vete, që nuk vihet nën kontrollin e ekzekutivit, që nuk përdoret për të votuar ligje klienteliste, siç ka ndodhur deri ditën e fundit të vitit, që ka rol në monitorimin e zbatimit të ligjeve dhe ku hapësirat e opozitës janë si në çdo vend demokratik. Këto nuk kanë ndodhur ende në Parlamentin tonë. Është kjo arsyeja që, veç të tjerave, Grupi Parlamentar i PS ka iniciuar reformën parlamentare, si një përpjekje për ta futur funksionimin e tij në shinat e një Parlamenti që funksionon demokratikisht. Sa i takon rolit të opozitës për plotësimin e angazhimeve që lidhen me 12 prioritetet, ku përfshihen ligjet me 3/5 dhe zgjedhja e avokatit, dua të kujtoj se në 12 prioritete që ka përcaktuar BE për Shqipërinë, vetëm katër prej tyre lidhen me opozitën. Sot janë të adresuara të katërta: reforma zgjedhore, reforma parlamentare, miratimi i ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe zgjedhja e Avokatit të Popullit. Madje, i vetmi prioritet që është plotësuar, është ai i zgjedhjes së Avokatit të Popullit, që lidhej direkt me opozitën, dhe besoj që u pa një proces model i vlerësuar e i përshëndetur nga BE. 8 prioritetet e tjera që nuk lidhen me opozitën, janë atje të paplotësuara. Në fakt, ajo që ju e quani finale pozitive, e që lidhet me detyrimet integruese, është finalja e mbylljes së një sesioni, por jo e kurorëzimit të një procesi. Me këtë dua të them se procesi i nisur ka nevojë të bëhet kredibël, si për shqiptarët edhe për ndërkombëtarët, të japë produkt dhe të realizohet në kohë. Produkti lidhet me përfundimin e reformës zgjedhore, reformës parlamentare dhe asaj të drejtësisë. E dyta, siç e thashë, është koha sepse një reformë zgjedhore e bërë me vonesë nuk u shërben zgjedhjeve, ndaj koha është shumë e rëndësishme.
Parlamenti këtë vit ka miratuar shumë ligje, siç e deklaroi dhe Kryetarja e Kuvendit në konferencën e saj për shtyp, a ndani të njëjtin mendim?
Nëse matësi do ishin numrat, është në rregull; Po të matësh funksionimin e Parlamentit me numra, është absurde. Nëse do bënim një vlerësim të këtij sesioni parlamentar, besoj se nuk mjaftojnë numrat e as bashkimi i votës për disa ligje. Analiza është shumë më komplekse siç e thashë më parë, po nëse e gjykojmë eficiencën e punës së Parlamentit në raport me ligjet e prodhuara, unë besoj se një Parlament që prodhon ligje klienteliste, një Parlament ku cilësia e qëndrueshmëria e ligjeve janë të cenuara e ku zbatimi i ligjeve mbetet peng, ka një problem të madh. Ne kemi miratuar një ligj shumë të mirë për antidiskriminimin, po kush mund të më thotë se zbatohet? Kush mund të thotë se zbatohet ky ligj, kur fëmijët e Bulqizës vazhdojnë të rrëmojnë në malet e kromit për bukën e gojës? Të gjithë i shohin, po askush nuk vë dorë dhe në këtë rast ligji nuk zbatohet nga shteti. Kemi një ligj për RTSH, po RTSH është kthyer në megafon të qeverisë, jo për faj të ligjit, po për faj të shpërdorimit që i bën pushteti dhe vetë Parlamenti ligjit.
Gjithsesi, parë në kompleksitetin e tij, funksionimi i Parlamentit është larg një Parlamenti të demokracisë funksionale.
Duket se pozicioni i mëparshëm refuzues i opozitës dha pasoja për integrimin e vendit, duke bllokuar arritjen e 12 prioriteteve dhe refuzimin e ftesës. Nëse arritja e tyre do të konsiderohet edhe si sukses i opozitës, në bllokimin e realizimit të prioriteteve edhe opozita ka pjesën e saj. Në këtë klimë të re politike, opozita sheh gabime të saj, ndërkohë që një nga gabimet e bëra në 2008-n, ndryshimet kushtetuese, janë pranuar dhe nga vetë kryetari socialist Edi Rama.
Unë e kuptoj qeverinë, që përpiqet të gjejë alibi te opozita për dështimin e procesit të integrimit, po nuk besoj se kjo bind edhe gazetarët. Së pari, refuzimi i statusit nga BE është rrjedhojë e problemeve që ka sot vendi lidhur me nivelin e demokracisë e që fillon me zgjedhjet si kusht i parë për një demokraci funksionale, me funksionimin e Parlamentit e të sistemit të Drejtësisë, me nivelin e korrupsionit e krimit të organizuar, me gjendjen e administratës publike, me ekonominë jo funksionale të tregut e sundimin e monopoleve etj. Janë këto probleme që e lanë jashtë dere Shqipërinë dhe këtë e thotë qartë raporti i BE.
Sa i takon pjesës së opozitës, sapo thashë se nga 12 prioritete, vetëm katër lidhen me opozitën dhe janë adresuar. Pyetja është, po 8 prioritetet e tjera pse nuk janë plotësuar? Kush mund të besojë se prioriteti që lidhet me administratën publike profesionalizmin, depolitizimin apo transparencën e saj, u pengua nga opozita, e cila po kërkon të njëjtën gjë? Kush mund të thotë se lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, që përsëritet edhe në konkluzionet e dhjetorit të Këshillit, u pengua nga opozita? Kush mund të thotë që çështja e pronës pengohet nga opozita apo çështje të tjera që lidhen me të drejtat e njeriut etj.? Askush nuk e beson këtë alibi. Por le të vijmë te çështja e ligjeve me 3/5 që lidhet me opozitën. Çfarë kërkoi opozita? Ka kërkuar që ligjet të mos jenë arnime, po reforma të qëndrueshme që mbështeten në një hartë nevojash e një proces të hapur e të konsultuar me aktorë interesi. Ju e quani refuzues rolin e opozitës, në fakt dua tju kujtoj sapo doli opinioni i BE, opozita inicioi debatin në Parlament dhe një rezolutë për të adresuar bashkërisht çështjet e raportit, më pas ishte përsëri opozita që ofroi paktin me 10 pika për Europën etj. Në fakt është e kundërta, ajo që duhet të ishte ofruesja e që ka përgjegjësinë për qeverisjen refuzoi çdo ofertë tonën që i kontribuonte integrimit, madje ka refuzuar dhe rezolutën e Parlamentit Europian për zgjidhjen e krizës. Gjithsesi, problemi nuk është se kush do marrë dekoratat e integrimit, por si avancohet procesi, si përfiton Shqipëria dhe shqiptarët, jo si e përdorin politikanët dhe për këtë arsye ne jemi në këtë proces bashkëpunimi.
Sa u takon ndryshimeve kushtetuese, tashmë është e pranuar edhe nga ata që kanë qenë partizanë të saj, se nuk duheshin bërë në kushtet e Shqipërisë, kur Berisha e mat rolin e Presidentit të Republikës me besnikërinë ndaj partisë, siç bëri publikisht ditë më parë me Presidentin aktual. Ka gjëra të tjera që mund të bëheshin ndryshe në PS? Pa dyshim që ka. Kongresi i fundit reflektoi në disa çështje, të tjera ka nevojë të reflektohen në proces.
Si pasojë e këtyre ndryshimeve, opozita nuk mund të bëjë asnjë tentativë për të pasur një President nga radhët e saj. Fatos Nano në disa dalje të tij ka dhënë të kuptohet se ia ka lën