Moderniteti i rrënojave
Po merrja kthesat e Kërrabës një e nga një. Isha i përqendruar tek timoni, Johani deri atëherë ish i heshtur. Po shihte me vëmendje dhe admirim gjithë pamjet që ndryshonin sa herë merrte kthesë makina, male, kodra, lugina, fusha, perspektiva të largëta deri në det.
Johani foli: kjo është arkitektura që admiroj, e shkrirë me natyrën, nuk duhet t'i bëjmë konkurrencë natyrës, objekti duhet sikur të ketë dale prej saj...e dëgjova dhe nuk iu përgjigja.
Kur zbritëm Kërrabën, kaluam dhe urën e peshkatarit ndala majtas dhe e drejtova Johanin nga një objekt që po ndërtohej, e futa brenda dhe e prezantova me autorin, Arturin.
Kur vazhduam rrugën për në Tirane Johani më shprehu kënaqësinë dhe habinë që pa një objekt të tillë. Ishin po ato principe për të cilat ai më kish folur.
Para tre vjetësh ndala për herë të parë, zbrita, u futa dhe po shihja objektin nga brenda. Ishte një punë e jashtëzakonshme, e punuar me kujdes në çdo centimetër, me një fantazi dhe harmoni të çuditshme.
Pata interes se atëherë sapo kisha botuar një artikull për lokalet "Kështjella". Po kjo ish tërësisht ndryshe.
Më vonë takova dhe autorin. Ai është Artur Çela skulptor, ka mbaruar në vitin 1993 Akademinë e Artit, me profesorët Hektor Dule, Thoma Thomai dhe Hilmi Kasemi.
Këto ditë do të çelet ky ansambël që zbukuron në mënyrë të dukshme gjithë territorin përreth.
Në anën e djathtë të Urës së Peshkatarit është një nyje që prodhon elemente të parafabrikuar dhe që ka bërë një masakër të vërtetë mbi brigjet e lumit (shembulli më i keq i trajtimit të natyrës), kurse në anën e djathtë është kjo vepër e shkëlqyer që çmon dhe rilevon natyrën, që e respekton atë, dhe afron qytetarët me bukuritë e rrethinave të Tiranës.
Objekti nuk ka dale mbi kuotën e Rrugës së Elbasanit, zbresim në një shesh gjigant të kthyer në amfiteatër.
Arturi e quan Teatri i Dodonës, dhe lokalin "Iluminatum".
Ka 5 vjet që punon, ndërroi shumë ustallarë deri sa zuri vend me 2 mjeshtër që e kuptuan filozofinë e tij, Astritin dhe Verin.
Lokali është i lidhur bukur me natyrën dhe njëkohësisht është i rrethuar me mister. Arkitektura është si dekor përrallash si brenda dhe jashtë, i punuar me materiale natyrale ku zotëron guri, tulla, xhami, druri dhe hekuri. Gurët janë marrë nga Kruja, Miloti, Shëngjergji, Kërraba.
Në fillim fillova me skica, më tregoi, por korrigjoja në vend, gjatë punës, më vonë, puna shkoi më lehtë dhe më mirë...në skulpturë është më lehtë, vër baltë dhe po nuk të pëlqeu e heq, mund të korrigjosh pa fund, këtu jo. Është çdo gjë një e tërë, dua të vazhdoj poshtë në lum, do të bëj një Butrint tjetër, thotë.
Me sa duket Arturi e admiron arkitekturën dhe në njëfarë mënyre është një Gaudi shqiptar, sepse çdo gjë e kalon nëpërmjet duarve të tij, asnjë gur nuk është vënë pa aprovimin e tij.
Ai është një tip i heshtur dhe m'u desh shumë kohë që ta zbërtheja. Pyetja ime ishte: a kishte ky një teori të tijën? Po ai e ka një teori, por kjo është tërësisht personale.
Më pëlqen Jugu më tha. Kam kaluar vite të tëra...sidomos më pëlqejnë rrënojat.
Ato të Himarës veçanërisht, ngjitesha në lagjen e vjetër, e di fshatin e vjetër? Ato rrënoja aq të bukura, e ato rrënojat më tërheqin kaq shumë. Një herë po binte tërmet...jepi thashë, të shoh si krijohen rrënojat...
Artist Arturi vlerëson si asnjë tjetër rrëzimin, shembjen, rrënojat, gurin e vjetër, shtëpinë e vjetër, fshatin e vjetër. Dhe ringre. Arkitektura e tij është ringritja nga rrënojat. Si një flashback. Teoria e tij e pashpallur është MODERNITETI I RRËNOJAVE. Është madhështia e ringritjes.
Objekti është një Rrënojë e Bukur, një hymnizim i rrënojave, i lashtësisë sonë.
Ai e bën arkitekturën si bëhet vera, ngadalë, të vjetëruar.
Arkitektura e tij është Arkitektura e vjetër shqiptare. Aty pi verën e vjetër të Skënderbeut. Ajo verë-arkitekture është antike. Është një dekor i vërtetë. Një lashtësi moderne.
Asnjë vepër tjetër nuk është realizuar me kaq përkushtim e dashuri, centimetër pas centimetër. Salla kryesore në planimetri është gati katrore përafërsisht 20X20 m, me lartësi 6 metra. Objekti në tërësi është afër 4000metër kub.
Arturi është ëndërrimtari më i madh që kam takuar që bën mure. Ai respekton pemët, gurët, lumin. Nga kjo dashuri dhe respekt për natyrën ka lindur kjo vepër.