E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njerëz të rinj

Ç'është kombësia për disa që e kapërcyen ilegalisht kufirin greko-shqiptar dhe sot janë përshtatur matanë? Çfarë ndjejnë në fund të shpirtit dhe si i mbajnë lidhjet me vendlindjen?

A është për ata arti një formë për të rindërtuar të kaluarën dhe kthjelluar vetëdijen për vendet që lanë pas dhe ato që gjejnë përpara? Me Zhongat, babë e bijë, me Anën dhe Neritanin, në Athinë

Vështirë të gjesh në emigracion njerëz që këndojnë e kulturohen shqip, por ata që nëpërmjet kulturës kërkojnë në kujtime gjurma shqipe, i gjen, patjetër, dhe vë re se kjo është për ta një formë atdheu dhe etnie ku gjuha s'është më ajo e nënës, as traditat, territori jo se jo. Solidariteti mes tyre është një tipar që herë shfaqet si festë e herë zhduket në vetminë ku secili kërkon një tjetër natyrë solidariteti me shenjat dhe gjuhët e artit.

Vjen një kohë që edhe etnia shpirtërore e një emigranti është e vështirë të përkufizohet.
Në ditët e Filmit Shqiptar në Athinë, regjisori Bujar Alimani na prezantoi me disa bashkëpunëtorë të tij. Takimet e tyre me Shqipërinë nuk manifestohen, krijimet e tyre nuk kanë tipare apo aromë shqiptare. Edhe atëherë kur kanë, qëllimi nuk është mbajtja gjallë e një identiteti shqiptar të personit.

Këta u përkasin brezit të parë dhe të dytë të emigrantëve, që janë larguar nga Shqipëria në "lulen e moshës", adoleshentë, po edhe foshnja.

Irida dhe Jani Zhonga

Këto dy emra lakoheshin bashkë vitin e shkuar, kur Qendra Kombëtare Kinematografike mbështeti projektin e një filmi të animuar të quajtur "The meaning of life" (Kuptimi i jetës). Rezultati ishte ai për të cilin filmi përflitej. Një vepër e shkëlqyer, 15 minuta, HD, realizuar me teknikën stop motion & 3d animation. Irida dhe Jani Zhonga, baba e bijë u prezantuan me të në Festivalin e Filmit në Tiranë dhe në Festivalin e Filmit Shqipfolës në Athinë, 17-20 dhjetor.

Në vitin 1981 Jani u punësua në Kinostudio, në sektorin e Filmit të Animuar ku realizoi "Maja e penës dhe aeroplani prej letre", "Era dhe balona", "Lodrat dhe Miri", i pari film me kukulla dhe xhirime reale. Në vitin '88 vlerësohet në Festivalin Shqiptar dhe në Festivalin e Filmit për Fëmijë "Giffoni". "Jo më filma për fëmijë, i thashë vetes. Bashkë me Stefan Taçin krijuam "Veza e rrallë" i cili u prezantua në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Animuar në Annecy, Francë."

Në fakt, "Veza e rrallë" është një film "për të rritur", për tutelën prindërore, që mund të lexohet edhe si tutelë autoritare politike. Këto ide që për kohën shkonin larg, Jani mendon se e kishin origjinën tek gjuha politike. Duke ndjekur në shtypin e viteve 1985-1990 gjuhën e një udhëheqësi si Ramiz Alia, diçka linte shteg për interpretim.

"Kur lindesh i rrethuar me ndalesa, t'i njeh ingranazhet e sistemit që operon me këto ndalesa. Nga ana tjetër mund të them se brezi ynë, pavarësisht mungesës së lirisë, ishte me fat. Kishte mundësi të punoje. Sapo mbaroje Akademinë, në Kinostudio të vinin para përgjegjësisë: merr dhe bëj një film. Është krijuar një kulturë që nuk mund të mohohet, as nga egoizmi i të rinjve sot dhe as nga teknologjia."

Duke lënë Shqipërinë, Jani ndërpreu punën me dy filma, një ndër ta i quajtur "Lubia", në bashkëpunim me Ilir Butkën, skenarit të tij mendon t'i kthehet një ditë.

Emigroi qysh në vitin nëntëdhjetë për në Greqi kur Irida ishte katër vjeç dhe i kishte prishur kukullat e filmave të të atit. Sot ajo është një vajzë e matur, inteligjente, e qetë. Flet anglishte të qartë dhe të mençur për teknologjinë dhe tredimensionalin "e ftohtë, jo dhe aq human", për imagjinatën gjenuine të Tim Burton-it dhe "Avatar"-in e James Cameron-it.

Flet me admirim për filmat pa zë të viteve njëzetë që kanë bërë çudira, "sepse vizioni është ai që ndihmon teknologjinë, teknologjia s'mund të punojë vetëm". Irida kupton edhe fjalitë e ndërlikuara në shqipe, përpiqet të flasë dhe ndonjëherë ia del mirë. Biseda hidhet rreth filmit "Kuptimi i jetës", si është realizuar ideja: një çelës që bredh vrimë më vrimë, një aventurë që ka brenda sa dimensionin filozofik, edhe erotik, me nota humori dhe ironie.

"Gjithçka është realizuar me një aparat fotografik. "Kuptimi i jetës" sipas meje është gjetja e gjysmës tjetër të vetes. Kjo gjysma tjetër është ajo që na plotëson edhe në aspektin shpirtëror, intelektual, kulturor.

Në këtë kuptim ne donim të tregonim diçka serioze, por im atë ka një sens të fortë humori."
Vjeshtën që shkoi u vlerësua me dy çmime në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër në Drama, Greqi.

Irida ka pak kohë që studion në Londër kinema dhe televizion. Ajo jua ndërroi rrjedhën Studimeve të saj Ballkanike në Greqi. Ishte 24 vjeç dhe s'ishte e sigurt çfarë do të bënte në jetë. Një ditë në stacion, duke i hipur autobusit i tha të atit se kishte vendosur të merrej me film.

Jani e ndjek me sy të bijën tek tregon si hoqi dorë nga Studimet Ballkanike. Atij i kalon një hije ironie në buzë kur e bija flet se si trajtohej në ato tekste historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve.

"Dikur unë as që mendoja për Shqipërinë. Ky vend ishte për mua ai që më kishin treguar dhe përshkruar. Tani jam unë që ju lutem të më tregojnë çfarë mbajnë mend. Më vjen keq që nuk kam parë ato që njerëzit e mi kanë parë. Kjo s'më bën edhe aq të lumtur."

Irida nuk ka ardhur akoma në qytetin e lindjes, Tiranë, një film i saj po. "Saligia-1", eksperimental, u shfaq në ditët e TIFF-it në seksionin e filmit shqiptar dhe u vlerësua me çmim.
Vajza kishte kërkuar të përfaqësohej si shqiptare.

Ana

Ana ka mbledhur këngë të vjetra korçare dhe ka përgatitur një album, që do ta hedhë së shpejti në qarkullim në Greqi. Janë Serenata të Korçës, "por jo ato që janë bërë të njohura në Shqipëri dhe janë bastarduar". Janë më të vjetra, Ana i ka kërkuar dhe mbledhur këtu e gjashtë vjet, vargje-vargje, nga burime të ndryshme, nga korçarë që jetojnë në Greqi, në Ziçisht në fshatin e gjyshërve, nga fshatrat aty rrotull dhe nga njerëz që i kanë kënduar këto serenata.

Ana dhe Aleksi, shok i viteve të shkollës tetëvjeçare në Shqipëri, edhe ai në emigrim, kanë ruajtur formën origjinale të të kënduarit, me një kitarrë dhe mandolinë dhe 2-3 zëra. Janë këngë tradicionale qytetare, të kënduara nga anonimë dhe nuk kanë tituj. Kështu që kur bëjnë koncerte, vendosin si titull vargun e parë të një kënge.

"Desha të të vija mbrëmë/ por më zu një vesë shi/ perëndisë unë iu luta/ të të gjeja vetëmë/ nuk të gjeta vetëmë/ por të gjeta të stolisur/ mu në mes të shoqkave", thotë njëra nga këngët.

"E bëmë këtë punë për nostalgji. Ndjej se janë në genin tim, i mblodha me shumë dashuri dhe ngaqë ndjej që kjo traditë po humbet, është traditë që shkon nga goja në gojë dhe... njerëzit ikin."

Kërkimet e Anës shkojnë tek ato burime ku dikur pinin gratë e familjes së saj. Ajo dhe e motra Juli, të rritura me gjyshe dhe stërgjyshe iu futën mbledhjes së përrallave të shtyra prej nostalgjisë. I kanë përkthyer dhe do të dalin së shpejti në qarkullim në Greqi, në një botim dygjuhësh, shqip-greqisht.

Ana Janku është 31 vjeç dhe është e bukur. Ka 17 vjet që jeton në Greqi. Ka të njëjtat vite arsimimi si në Shqipëri dhe në emigracion ku ka kryer studimet e larta. Është arsimtare për fëmijë me aftësi të kufizuar.

Ajo shfaq durim kur dëgjon tjetrin dhe shqipja e saj e sforcuar ndonjëherë, nuk e pengon për ta mbajtur ndezur bashkëbiseduesin i cili do të kuptojë se ku qëndron sekreti që njeriut t'i ngulen në mend gjurmë tingujsh, fjalësh, fytyrash, aromash, sendesh, rrobash, dhe i vdesin të tjera tek porta e zemrës. Çfarë ndodh tek njeriu që teksa hap kujtimet për t'i tharë në diell, ai ikën e vjen nga tavolina si një fantazmë duke i ngjallur dhe tjetrit përballë tij fantazmën e vet?

Ana i ka nxjerrë në diell pothuajse të gjitha kujtimet. Tjetër gjë? Për shembull: Si e mban mend jetën nën diktaturë?

"Janë disa ide të mijat që përshkruhen në një shkrim jo shumë të gjatë dhe në qendër është gjyshi im, një karakter i fortë që ka ndikuar shumë tek unë.

Nga ky karakter unë kam bërë një flashback në jetën time, se si e mbaj mend atë sistem, ato vite që jetova. Diku unë sjell në mend kohën kur bota ishte më naïve, më e pastër. I linim portat të pakyçura kur iknim nga shtëpia, pa e ditur që më vonë do të na thoshin se e kemi në gen kriminelin, hajdutin, siç na quanin gazeta dhe televizione të huaja, dhe siç na trajtojnë tanimë...

Unë ndjej se jam përshtatur njëqind për qind në këtë vend. Athinën e ndjej shumë qytetin tim, megjithëse ndonjëherë më nevrikos se ka shumë trafik. Në Korçë ndihem e huaj sepse nuk njoh njeri dhe nuk më njeh njeri."

Ana vjen në Shqipëri çdo vit, në gusht, për një javë, por nuk ka lidhje me pjesën tjetër të Shqipërisë sepse fshati i gjyshes së saj, Ziçishti, është 15 km nga dogana, kështu që nuk kupton ndryshimin dhe zhvillimin e atdheut.

Neritani

Pasi ka folur për kinemanë italiane, për "Roma, qytet i hapur" dhe "Vjedhësi i biçikletave", për Felinin, Pazolinin dhe Antonionin, për Angjelopulosin dhe Tarkovskin, për Von Trierin dhe Almodovarin, për kinemanë e madhe që nuk pëlqehet dhe aq, për regjisorë që marrin çmime për hir të çmimeve deri në Hollivud, për kinemanë iraniane që e do mbi të tjera, Neritan Zinxhiria, me portret dhe gazmend fëmije, kur në fakt është 20 vjeç, tregon se emigroi në Athinë me familjen më 1991.

Jetuan ilegalisht deri më 1998, morën dokumentet dhe tani jetojnë kështu siç jetojnë. Ka lindur në Tiranë, por familjen e ka me rrënjë nga Përmeti. Për herë të parë erdhi në Shqipëri në vitin 2005.

"Çfarë lidhjesh mund të ketë një emigrant me Shqipërinë? Të afërm, telefonata. Shkova për herë të parë në vitin 2005, sepse shikoja kushërinjtë e mi që më ngjanin dhe u ngjaja. Kisha në portofolin tim fotografi me ta kur isha i vogël. Ata mbanin fotografinë time, sepse isha një kushëriri i tyre i humbur, i ikur.

Unë u rrita pa të afërm, dhe nuk e dija se ç'do të thoshte në thelb të afërm. Kur isha i vogël, nëna ime merrte rrobat e mia dhe ua jepte kushërinjve më të vegjël. Nevrikosesha, nuk dija ku shkonin rrobat e mija. Por kur i pashë me sy që kishin veshur disa prej rrobave të mia, thashë, tani do t'i heq dhe këto që kam në trup, dhe të bëhem një me ta."

Neritani ishte i humburi, edhe për të ata ishin të humburit. Nuk u dinte emrat, zërat me zor i kujtoheshin. "Kur i takova ndjeva që u përkisja. Megjithatë e kemi të vështirë të jemi një familje, sepse nuk kemi një të kaluar bashkë. Edhe ato që na lidhin, janë këto gjëra të bukura, të vogla, të kaluara, një bluzë, një fotografi. Mund të mos jenë shpesh kaq të fuqishme, herë të tjera mund të jenë shumë."

Kinemaja mund ta ndihmojë të rindërtojë këtë humbje. Ai thotë se është i vetëdijshëm për këtë: Gjithçka që bën këtë qëllim ka. Që të bashkojë një copëz të tijën të humbur dhe cikli të plotësohet.

"Nusja më e mirë" filmi i tij i shkurtër që u prezantua në Festivalin e Filmit Shqipfolës në Athinë, është vlerësuar Debutimi më i Mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Dramës. Ndihet tek ky film një aromë e largët shqiptare, e lidhjeve që krijohen mes njerëzve të familjes. Nusja edhe pse kishte humbur jetën, "duhet" të ishte prezent në sytë e vjehrrës. Është e para punë e Neritanit dhe ndjehet siguri në historinë që tregon dhe në mënyrën si e tregon. Një i ri që jep shumë shpresë.

"Që të jemi realist unë nuk mendoj në shqip. Një gjuhë është edhe mendim, kjo të bën shqiptar ose grek. Unë flas më shumë greqisht, por megjithatë filmi mundohet të ketë një kuptim më mbarënjerëzor."

Krijimin e një skenari ai e krahason me një udhëtim që është shumë afër me udhëtimin që Neritani një vjeç e gjysmë bëri për në Greqi. "Ajo që është e bukur, ikën nga unë, shpërndahet dhe shkon tek njerëzit. Kinemaja më bëri që t'u rikthehem dhe t'i dua njerëzit, atdhenë, edhe pashaportën e kuqe."

Është nënshtetas grek?

"Jo, jo, kurrë nuk e marr nënshtetësinë greke."
Neritani sjell historinë e një bashkëmoshatari, shqiptar edhe ai, që nuk dëshiron ta tregojë origjinën, sepse mendon që ajo ndikon në opinion që do të kenë për të dhe për punën e tij.

Kurse ai thotë se gjithçka që bën buron pikërisht nga fakti që është emigrant. "Kam në ballë të puthurën e nënës sime kur ika. Për aq sa do të ngelet kjo shenjë, do të eci në kohë."

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›