Mandatet e socialistëve, tërhiqet Topalli
Kryetarja e Kuvendit ka prezantuar dje arritjet e këtij institucioni. 70 ligje dhe 20 vendime në 100 ditë
"Ndaj dhe i bëj apel zotit Rama të lejojë deputetët të ushtrojnë mandatin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë"
Mazhoranca ka zbutur ndjeshëm tonet e komunikimit me opozitën në kërkim të një kompromisi të mundshëm mes palëve për zgjidhjen e krizës politike që ka mbërthyer vendin.
Pas ndërprerjes së akuzave direkte kundrejt lidershipit të Partisë Socialiste dhe ripërsëritjes së ftesës për dialog, shumica qeverisëse ka hequr dorë edhe nga kërcënimet për të zëvendësuar deputetët aktual socialistë me të tjerë emra që gjenden në listat e Partisë Socialiste të kandidatëve për deputetë të depozituar gjatë zgjedhjeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Kështu, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nuk ka dashur të përsërisë dje deklaratën e saj të bërë më parë gjatë një emisioni televiziv, sipas të cilës me mbarimin e afateve Kushtetuese, ajo do t'i drejtohej KQZ-së për të zëvendësuar deputetët aktual që nuk pranojnë të bëjnë betimin me emrat të tjerë që gjenden në lista.
E pyetur disa herë dje për këtë çështje, Topalli nuk ka pranuar të jap një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke deklaruar se nuk kishte pse të paragjykonte veprimet e mëtejshme të deputetëve dhe grupit parlamentar socialistë.
E pyetur gjatë konferencës së mbajtur me rastin e mbylljes së punimeve të Kuvendit për këtë sesion se çfarë do të bëhet me vendet bosh të deputetëve socialistë, ajo u përgjigj se priste që t'i shihte ata në fillimvitin e ardhshëm në Kuvend. Por, këmbënguljes së gazetarëve për një përgjigje më të qartë për këtë problem ajo ka deklaruar: "Unë nuk kam arsye për të ecur me hipoteza të tilla.
Unë, si Kryetare e Kuvendit, dëshiroj që zoti Rama t'i lejojë të vijnë në Parlament dhe apeli është për zotin Rama t'i lejojë deputetët të vijnë dhe të ushtrojnë mandatin e tyre", duke garantuar se si Kryetare e Kuvendit do të garantonte çdo deputet, për të pasur të gjithë hapësirën e duhur për të realizuar dhe për të bërë të mundur detyrën dhe misionin e tyre si opozitarë.
Për këtë arsye, ajo i ka bërë apel kryetarit të opozitës, Edi Rama, që të lejojë deputetët e tij që të ushtrojnë mandatin e tyre si të zgjedhur të popullit. "Unë e njoh rolin e rëndësishëm të opozitës, të drejtat dhe përgjegjësitë e saj. Ndaj dhe i bëj apel z. Rama të lejojë deputetët të ushtrojnë mandatin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë", - tha Topalli në fjalën e saj.
Por, nga ana tjetër, ajo ka bërë të qartë se mazhoranca, në të cilën ajo bën pjesë, mund të pranojë çdo konsensus, por duke respektuar Kushtetutën, një përgjigje kjo që është bërë standard për qëndrimet e kësaj shumice ndaj kërkesave të opozitës. Në këtë mënyrë, ajo ka lënë të kuptohet qartë se kërkesa për hapjen e kutive të votimit nuk mund të pranohet dhe se oferta e mazhorancës kundrejt opozitës nuk mund të përfshijë këtë pikë. "Ofrojmë çdo gjë që është e ligjshme dhe Kushtetuese.
Si Kryetare e Kuvendit, jo se ia ofroj unë, por ia ofron Kushtetuta dhe Rregullorja të gjitha hapësirat, të gjitha mundësitë e kontrollit parlamentar, mundësi të pyetjeve drejtuar Qeverisë, mundësi të interpelancave, mundësitë e punës, të kompromiseve dhe negocimeve brenda komisioneve parlamentare", - theksoi më tej Topalli.
Në këtë kuadër, ajo i ka dhënë një përgjigje edhe letrës që kryetari i Bashkisë së Tiranës i nisi dy ditë më parë lidhur me inspektoratin e dertimit, duke deklaruar se do të ishte e gatshme që të pranonte çdo sugjerim të përfaqësuesve të opozitës në Kuvend edhe për këtë çështje.
"Është një rast për të përsëritur ftesën për deputetët e Partisë Socialiste për të ardhur, për të diskutuar, për të shqyrtuar, për të diskutuar pastaj në seancë plenare edhe për këtë ligj, të cilin zoti Rama e ka merak", - tha Topalli.
Ndërkohë, duke prezantuar arritjet e Kuvendit gjatë këtyre 100 ditëve të para të kësaj legjislature, kryeparlamentarja nuk ka nguruar ta konsiderojë aktivitetin e këtij institucioni të suksesshëm, pavarësisht se shumë prej aktiviteteve të tij janë bërë në kundërshtim me rregulloren, sidomos për sa i përket aspektit të kuorumit të pjesëmarrjes në komisionet e përhershme.
"Në këtë sesion të parë, në 17 seanca plenare, në mbi 47 orë diskutime parlamentare, Kuvendi me përgjegjësinë e institucionit përfaqësues të qytetarëve shqiptarë, përmbushi rolin e tij kushtetues, duke vazhduar më tej reformat e rëndësishme të vendit, të ndërmarra me synim prosperitetin të vendit dhe të çdo qytetari pa dallim", - deklaroi Topalli, duke ekspozuar punën e institucionit që drejton.
Duke folur me shifra të tjera, Topalli ka bërë të ditur se Kuvendi në këto 100 ditë të para ka miratuar 70 ligje dhe 20 vendime nga 44 ligje dhe 15 vendime në legjislaturën e mëparshme, ose rreth 70% më shumë se në legjislaturën e kaluar, për të njëjtën periudhë", - u shpreh Topalli.
PS: Kriza ekonomike, papërgjegjshmëri e qeverisë
Partia Socialiste akuzon qeverinë se me keqadministrimin e situatës ka futur vendin në një krizë, jo vetëm politike, por edhe ekonomike. Sipas selisë rozë, realiteti i sotëm i vështirë ekonomik nuk është më rrjedhojë e krizës globale, por pasojë e keqqeverisjes. Përkundrejt kësaj situate, PS denoncon si krejt të papërgjegjshëm qëndrimin e Kryeministrit, sipas të cilit "kriza është thjesht një ëndërr e keqe nate". PS thekson edhe njëherë se mbylljes së kutive të votimit po i shtohet edhe mbyllja e transparencës për situatën fiskale buxhetore.
"Kjo situatë po shoqërohet vetëm me manipulimet dhe gënjeshtrat e radhës kryeministrore që nuk kanë precedent në asnjë vend evropian ku aspirojmë të jemi pjesë", - tha Meksi në fjalën e vet. PS tërheq vëmendjen se mazhoranca në vend të masave për frenimin e rënies të mëtejshme ekonomike, ka ndërmarrë një sulm të paprinciptë ndaj kujtdo që është në oponencë me të.
"Ne mendojmë se çdo vonesë në pranimin e gjendjes reale, si dhe mosmarrjen e masave përkatëse efektive, të cilat PS i ka formuluar në Rezolutën e saj, do të ketë një kosto akoma më të madhe për ekonominë dhe popullin shqiptar", - shtoi më tej Meksi. Madje, sipas selisë rozë, qeveria për të eliminuar çdo mundësi krahasimi të asaj çfarë ka bërë deri më tani me objektivat e saja programore ka hequr ditët e fundit nga faqja e saj në internet edhe programin politik.
"Për hir të pushtetit, kjo parti ka hequr dorë nga programi i saj elektoral në përgjithësi dhe qëndrimi antikrizë në veçanti, duke mohuar veten deri në eliminimin dhe heqjen edhe nga faqja e internetit e programit të saj elektoral, ku pretendohej për punësim, punësim dhe përsëri punësim dhe për masa antikrizë", - deklaroi Meksi.