E Diel, 1 Nëntor 2026

Modernizohet skema vaditëse e Mursisë, mënyrë e re dhe më efikase për 2215 ha tokë bujqësore

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se, modernizimi i skemës ujitëse në Mursi të Konispolit po sjell një mënyrë të re dhe më efikase të vaditjes së tokave bujqësore, përmes një rrjeti të ri tubacionesh dhe hidrantësh që redukton humbjet e ujit, ul kostot për fermerët dhe krijon mundësi për përdorimin e sistemeve moderne me pika dhe shihedhës.

Kjo skemë e re e ujitjes në zonën e Mursisë po modernizohet përmes një investimi të financuar qeveria shqiptare dhe Banka Botërore, i cili synon të ndryshojë mënyrën e vaditjes për rreth 2215 hektarë tokë bujqësore.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla gjatë inspektimit të punimeve në terren, tha se projekti përfaqëson një nga investimet më inovative në infrastrukturën e ujitjes që po ndërtohet aktualisht.

“Tashmë ky është një nga projektet më inovative të gjithë infrastrukturës që po ndërtohet sot për ujitjen e kësaj zone. Nga një vaditje me përmbytje kalojmë në një vaditje me presion dhe i gjithë sistemi do të menaxhohet nga bashkia”, u shpreh Salla.

Sipas tij, projekti është drejt përfundimit dhe do të sjellë një ndryshim të rëndësishëm për fermerët e zonës, duke zëvendësuar sistemin tradicional të ujitjes me një rrjet modern tubacionesh dhe hidrantësh.

“Jemi në përfundim të veprës”, deklaroi ministri, duke theksuar se infrastruktura e re do të krijojë mundësi për një menaxhim më efikas të ujit dhe të gjithë skemës ujitëse.

Investimi pritet të ndikojë edhe në uljen e kostove të prodhimit për fermerët, pasi redukton nevojën për përdorimin individual të pompave me motor për vaditje dhe, rrjedhimisht, shpenzimet për energji dhe naftë.

Ky investim i ndihmon fermerët në uljen e kostove, si në energji, ashtu edhe në naftë, për përdorimin e pompave me motor. Menaxhimi i skemës së re do të bëhet nga bashkia në koordinim me fermerët, ndërsa tarifa për përdorimin e sistemit është konsultuar me komunitetin e fermerëve.

Përmes rrjetit të ri, fermerët do të kenë më pak humbje të ujit dhe mundësi për përdorimin e teknologjive moderne të ujitjes, përfshirë sistemet me pika dhe shihedhës.

Paralelisht me investimin në infrastrukturë, po punohet edhe për zhvillimin e bujqësisë së zgjuar, përmes përdorimit të sensorëve dhe stacioneve meteorologjike, me synim optimizimin e përdorimit të ujit dhe përshtatjen e prodhimit ndaj ndryshimeve klimatike.

Projekti synon kështu të kursejë burimet ujore, të ulë kostot për fermerët dhe të rrisë qëndrueshmërinë e sektorit bujqësor në zonën e Mursisë.

/e.xh/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›