E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moisiu: 8 Maji është një provim serioz

Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, deklaroi dje në tryezën e organizuar nga “Forumi Civil 2010” se, përvoja e deritanishme në proceset zgjedhore ka treguar se detyra e komisionerëve është shumë e rëndësishme, për të siguruar një votim të ndershëm, me standarde, që deri tani për ne ka qenë i paarritshëm plotësisht. Në vlerësimin e tij, ndershmëria në votime varet shumë nga qëllimi që i venë vetes forcat politike, se çfarë preferojnë ato më shumë, pushtetin apo demokracinë. “Pikërisht sepse tek ne komisionerët dhe numëruesit e votave, ende caktohen nga partitë, ata veprojnë më shumë si ushtarë sesa si njerëz të administratës zgjedhore. Është e njohur se nga sjellja, ndërgjegjja, ndershmëria si dhe përgatitja e tyre, varet shumë sesi do të kryhet administrimi i votave”, theksoi Moisiu. Sigurisht, shtoi ai, nëse qytetarët do të shohin që vota e tyre keq administrohet dhe nuk shkon atje për ku ata e kanë dhënë, kjo jo vetëm do të shkaktojë pakënaqësi, por ajo që është më kryesorja, do të tregojë se ne ende nuk dimë të administrojmë ndershmërisht votën e qytetarëve, pra jemi ende larg kërkesave të BE-së. Moisiu këmbënguli se mënyra sesi po i vëzhgon përgatitjet për zhvillimin e zgjedhjeve Grupi i Vëzhguesve të OSBE/ODIHR është për t’u vlerësuar, pasi ata ndryshe nga herët e tjera po i largohen konstatimeve të përgjithshme dhe pa adresë, të cilat në vend që të ndihmonin, më shumë kanë krijuar konfuzion politik dhe propagandistik“.

Ne shprehim bindjen se në këto votime drejtuesit politikë, në mënyrë të veçantë ata të dy forcave kryesore politike, do ta ndjejnë më shumë përgjegjësinë për këto votime, që në fakt po konsiderohen dhe janë provimi më serioz, për sa i përket arritjes së standardeve të kërkuara, për të Integruar Shqipërinë në BE, që është ëndrra e çdo shqiptari, por që e kam të vështirë ta them nëse e kuptojmë dhe e mendojnë kështu gjithë politikanët tanë”, nënvizoi Moisiu. Forumi i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të shkojnë në votim në mënyrë paqësore dhe të presin me qetësi rezultatin e zgjedhjeve, sepse ky i fundit në një vend demokratik gjithmonë vendoset nga votuesit, por zhvillimi dhe menaxhimi normal i procesit zgjedhor është themelor për të ardhmen e Shqipërisë. “U bëjmë thirrje të drejtpërdrejtë udhëheqësve të dy koalicioneve garuese në zgjedhje, që t’u kërkojnë me forcë militantëve e përkrahësve të tyre përkatës që të mos shkaktojnë incidente dhe bllokime të votimit apo numërimit të votave. U bëjmë thirrje komisionerëve zgjedhorë të të gjitha niveleve (nga KQZ deri te KQV-të), që t’i përmbahen në mënyrë strikte kodit zgjedhor në administrimin e votimit, sepse përndryshe ata mund të kenë pasoja, por pasojat më të rënda do të jenë për të ardhmen e vendit. Çdo kontraditë apo parregullsi të zgjidhet në rrugë ligjore; çdo tentativë për zgjidhje ekstraligjore do e dëmtonte rëndë demokracinë shqiptare”, theksoi Moisiu. Ndër të tjera, ai u kërkoi edhe mediave që të pasqyrojnë në mënyrë të balancuar, sa më të gjerë e në kohë reale, procesin e votimit e të numërimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›