E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE, Wollfarth: Politikanët të detyruar të pranojnë rezultatin

Shefi i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, deklaroi dje se procesi i votimi duhet të jetë i lirë, por duhet gjithashtu që votat të hidhen në kuti. Në vlerësimin e tij është shumë e rëndësishme dhe më lejoni të theksoj një pikë – zhvillimin e një procesi të rregullt, që përfshin edhe kohën pas dhe gjatë hedhjes së fletëve të votimit në kuti. “Ky është procesi ligjor, kudo që nevojitet. Të gjitha procedurat duhet të bëhen në përputhje me shtetin e së drejtës dhe, sipas shtetit të së drejtës, nuk duhet të ketë asnjë ndërprerje të procesit të votimit”, këmbënguli Wollfarth. I pranishëm në një tryezë të “Forumit Civil 2010”, që drejtohet nga dy ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani, ambasadori mbështeti ftesën e tyre për pjesëmarrje të gjerë në zgjedhje. “Në këtë diskutim, u prek një aspekt shumë i rëndësishëm: trajtojini çështjet që mund të dalin brenda kuadrit ligjor, por mos ndërprisni të drejtën e qytetarit për të votuar. Kisha edhe një fjalë të fundit në lidhje me fjalën “rezultat”. Rezultatet janë absolutisht në duart e votuesve dhe politikanët e kandidatët janë të detyruar t’i pranojnë rezultatet dhe kjo fillon, duke e pranuar rezultatin e duke mos vazhduar me mospranim të vazhdueshëm të rezultateve jashtë sistemit ligjor. Kjo është një tentativë kundër demokracisë dhe kjo e shkatërron demokracinë”, nënvizoi Wollfarth. Më tutje, ambasadori zhvilloi edhe një takim me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, pas të cilit konstatoi se “e diela e ardhshme do të jetë ditë zgjedhjesh në Shqipëri, do të jetë dita e zgjedhjeve vendore dhe ne shpresojmë që ajo të jetë dita e festimit të demokracisë, aksesit të lirë në qendrat e votimit dhe e kontributit të qytetarëve përmes një sjelljeje paqësore, duke shkuar e duke hedhur votën e tyre e duke pasur besim se sistemi është një sistem i vërtetë”. Në vlerësimin e tij, policia është e përgatitur të asistojë kur të jetë e nevojshme dhe se është aty për të siguruar një mjedis paqësor, por gjëja më e rëndësishme është që edhe gjithë qytetarët të sillen qetësisht dhe në mënyrë të qytetëruar e të shkojnë e të hedhin votën e tyre në mënyrë demokratike. “Ata mund të zgjedhin të lirë, në gjithë vendin, mes opsionit të parë, opsionit të dytë dhe opsionit të tretë, kur ka një të tillë, kështu që mund ta vendosin ku të dëshirojnë shenjën përkatëse në fletën e tyre të votimit dhe mund të kenë besim se vota do të numërohet si duhet”, nënvizoi Wollfarth. Duke ju referuar konkretisht policisë, ambasadori insistoi se “Policia është Polici e Shtetit. Policët mbajnë uniforma me shirita blu e të kuq, gjë që mua më duket shumë interesante. Pra, ata janë të pranishëm për t'u shërbyer të gjithë qytetarëve, duke ofruar një shërbim paqësor, por kjo fillon me sjelljen e mirë të qytetarëve”. Sigurisht, vijoi ai, kuptohet që nga qytetarët nuk duhet të vijë asnjë akt apo kundërvajtje penale. OSBE shpreh bindjen se policia është e trajnuar siç duhet dhe se do ta tregojë këtë edhe në ditën e zgjedhjeve. Wollfarth tha se e sheh qeverinë në mënyrë gjithëpërfshirëse, sepse, po të shohim procesin – qeveria qendrore bashkëpunon me qeverinë vendore. Pra është një përgatitje ndërmjet partive, sqaroi ambasadori, ndërmjet palëve, pasi ajo përfshin edhe nivelin vendor dhe, për këtë arsye, i gjithë procesi është gjithëpërfshirës, si për shembull, përgatitja e listave të zgjedhësve, e cila u bë mes verifikimesh e kundër verifikimesh, çka ka kuptim në një demokraci. “Listat vlejnë, sigurisht, edhe për të ardhmen dhe ato janë gjithmonë një proces i vazhdueshëm, por unë jam mjaft optimist se kjo do të jetë dita më e mirë e zgjedhjeve që ka parë ndonjëherë Shqipëria”, theksoi Wollfarth. D.M.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›