E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, dyshime për fshirjen e bojës matrikulluese

Boja matrikulluese që do të përdoret në zgjedhjet e 8 Majit pritet të kthehet edhe kësaj here në një temë debati dhe kontestimesh mes palëve në këtë proces zgjedhor. Partia Socialiste ka hedhur hije dyshimi dje mbi cilësinë e bojës, ndërsa ka kërkuar sqarime nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për përgjigjet e pyetjeve që ajo ka shtruar para disa ditësh, për të kontrolluar qëndrueshmërinë e saj në gisht. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Genci Gjonçaj, ka ngritur sërish këtë problematikë dje, para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke kërkuar shpjegime nëse laboratori që ka analizuar bojën ka sjellë përgjigjet për kërkesat e bëra zyrtarisht nga Partia Socialiste. “U bë e disata herë që në këtë tryezë, ju ngre problemin për cilësitë e bojës. Kur jemi pesë ditë para zgjedhjeve, nuk kemi ende një përgjigje. Mund të dimë se kur do investohet KQZ-ja për këtë çështje”, - tha Gjonçaj. Në këtë shqetësim, Gjonçaj është mbështetur dhe nga dy anëtarët e majtë të KQZ-së, Artan Lazaj dhe Dëshira Subashi, të cilët e kanë konsideruar të drejtë insistimin e PS-së për këtë çështje. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit Arben Ristani, i cili edhe një herë i ka sqaruar përfaqësuesit socialistë se PS duhet t’i drejtohet vetë laboratorit, pasi KQZ nga ana e saj ka marrë përgjigje pozitive për kushtet dhe cilësitë që parashikon ligji për bojën. “Nuk është e ndershme që anëtarë të KQZ-së bëjnë të paditurin, ndërkohë që e kanë patur përgjigjen e laboratorit për bojën. Në atë përgjigje thuhet në mënyrë të qartë se nga ekspertiza rezulton se boja ka të gjitha cilësitë e nevojshme që të mos fshihet dhe të dallohet për një kohë të gjatë pas vendosjes së saj në gisht”, - tha Ristani. Por përfaqësuesi socialist Genci Gjonçaj, duke marrë shkas nga ky deklarim i kryetarit, ka deklaruar se PS-së nuk i rezulton i njëjti rezultat mbi cilësitë e bojës. “Zoti kryetar, mua më vjen mirë që ju paskeni një përgjigje, por ne nuk na rezulton se boja ka këto veti dhe cilësi që thoni ju”, - tha Gjonçaj. Ndërkohë që burime pranë PS-së kanë sqaruar dje se nga eksperimentet e kryera me bojën, rezulton se ajo mund të fshihet shumë lehtë dhe me ujë nga gishti, nëse ky veprim kryhet brenda një kohe të shkurtër pas vendosjes së saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›