Moisiu: Duhet transparencë e plotë e zgjedhjeve

"Politika shqiptare është treguar e paaftë për të zgjidhur krizën. Zgjidhja nga Rama-Berisha, jo nga ndërkombëtarët"
Meidani: Opozita e kreu misionin e saj, vuri në lëvizje ndërkombëtarët dhe faktorin vendas
FIER - Pas një periudhe të gjatë heshtjeje ndaj situatës politike në Shqipëri, dy ish-presidentët e vendit, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani, kanë reaguar dje duke kërkuar zgjidhjen e krizës politike nga liderët politikë shqiptarë, pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, duke motivuar edhe rolin që duhet të luajë Presidenti Bamir Topi në këtë çështje. Në një prononcim për mediat, Moisiu dhe Meidani, ndërsa apeluan për zgjidhjen e ngërçit politik, kërkuan edhe kryerjen e transparencës së plotë të zgjedhjeve përmes hapjes së kutive të votimit.
Ish-Presidenti Alfred Moisiu, i cili ka qenë në krye të shtetit gjatë viteve 2002-2007, duke iu referuar pozicionit dhe rolit të që ka presidenti në jetën politike shqiptare, theksoi se Presidenti Topi duhet të ndërhyjë në këtë çështje, në mënyrë që të gjendet një rrugë për zgjidhjen e krizës politike. Por, kompromisi, sipas Moisiut, duhet të vijë nga krerët e forcave politike, Berisha e Rama, të cilët, duhet të tregojnë shembullin e bashkëpunimit ndërmjet tyre. Ish-kreu i shtetit doli kundër ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar për të zgjidhur situatën politike, ndërsa falënderoi nismat e tyre politike për të ndihmuar klasën politike shqiptare në gjetjen e gjuhës së përbashkët. Por, ai kërkoi që mazhoranca dhe opozita ta gjejnë vetë rrugën e zgjidhjes. "Shqipërinë nuk mund ta ndajmë në sa parti jemi.
Presidenti të ndërhyjë, të bëjë detyrën e tij. Kryetarët e mazhorancës dhe opozitës, pra partitë kryesore vërtetë duhet të japin një shembull bashkëpunimi. Unë jam për një transparencë të plotë të kësaj çështjeje. Është për të ardhur keq, gjithmonë kam qenë kundër ndërhyrjes së ndërkombëtarëve edhe kur kam qenë në krye të shtetit, por të tërë duhet të largohemi nga kjo, duhet të arrijmë që krizat t'i zgjidhim vetë. Duhet që hallin tonë duhet ta zgjidhim vetë.
Sigurisht, unë i falënderoj komunitetin ndërkombëtar dhe të gjithë të huajt për kontributin që ata japin dhe për interesin që ata tregojnë. Një nga shkaktarët e këtyre problemeve politike që kemi tani, janë pikërisht komisionerët, si nga përgatitja e tyre, po ashtu edhe nga bindja e verbër ndaj urdhrave partiakë", - tha dje Moisiu pas një aktiviteti në qytetin e Fierit. Moisiu vuri në dukje se hapja e kutive të votimit të zgjedhjeve të fundit parlamentare është më se e domosdoshme, pasi, sipas tij, vota është baza e ndërtimit të demokracisë dhe e formësimit të shtetit ligjor.
"Unë mendoj që çështja e transparencës është shumë e rëndësishme, sepse ka të bëjë me votën. Vota është baza e demokracisë, baza e ndërtimit të shtetit ligjor. Dhe pa pasur besim çdo qytetar se vota e tij shkon atje ku e jep, është e vështirë pastaj të kërkosh zgjidhje dhe zgjedhje. Unë jam shprehur për hapjen e kutive. Jam për t'i hapur të gjitha apo pjesërisht, është tjetër çështje, por jam për një transparencë të plotë të kësaj çështjeje", - u shpreh ai.
Megjithëse ish-presidenti Moisiu ka kërkuar zgjidhjen e krizës politike, ai ka bërë thirrje që kjo problematikë të zgjidhet duke menduar për të ardhmen e vendit dhe jo për interesa politike të momentit. "Për të zgjidhur krizat duhet të jemi të gjithë së bashku, sepse nuk mundet që e ardhmja e Shqipërisë të zgjidhet me metoda koniunkturale. Zgjidhja nuk jepet me koniunktura ose zgjidhje të pjesshme që i përkasin momentin aktual politik. Duhet të jemi vizionarë. Po flas gjithmonë për politikën vizionare, për të ardhmen e këtij vendi. Secili që ka marrë përsipër për të dalë në politikë, të merret me politikën duhet të dijë përgjegjësinë që ka për popullin e tij, e që e përfaqëson", - nënvizoi Moisiu.
Ndërsa ish-Presidenti tjetër, Rexhep Meidani, i cili ka qenë në krye të shtetit gjatë viteve 1997-2002 theksoi dje opozita e arriti misionin e saj për ndërgjegjësimin e faktorit ndërkombëtar për transparencën e zgjedhjeve dhe tashmë, sipas tij, asaj i mbetet që të marrë pjesë në të gjitha proceset politike e institucionale të vendit. "Misioni i Partisë Socialiste për rritjen e ndjeshmërisë, qoftë publike, qoftë politike, qoftë ndërkombëtare për institucionin e votës së lirë, ky mision është realizuar. Pjesa tjetër e misionit politik të një partie është pjesëmarrja në të gjitha proceset politike, institucionale, në mënyrë të veçantë pjesëmarrja në Parlament", - theksoi ish-presidenti Meidani. K. Thanasi
Topi, Sejdiu, Ivanov dhe Vujanoviç iniciojnë projektin e lëvizjes "qytetarët pa viza në të gjithë rajonin"
Katër presidentë themelojnë shengenin ballkanik
PRIZREN- Presidenti shqiptar, Bamir Topi, ai Kosovës, Fatmir Sejdiu, i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, si dhe ai i Maqedonisë, George Ivanov, janë takuar dje në Prevallë të Prizrenit ku kanë themeluar edhe nismën e tyre të mini-shengenit ballkanik. Sipas kësaj nisme, qytetarët e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë mund të lëvizin të lirë në vendet respektive.
Të katër liderët e Europës Juglindore kanë iniciuar këtë projekt në kuadër të aspiratës së këtyre vende për t'u bërë anëtare të Bashkimit Europian dhe liberalizimit të vizave të Shqipërisë dhe Kosovës, ndërkohë që Mali i Zi dhe Maqedonia përfituan fundvitin e kaluar nga ky proces. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, vuri në dukje se takimi i djeshëm ka pasur në themel të tij lëvizjen e lirë si një mënyrë për të treguar maturinë politike midis këtyre vendeve.
"Borxhi ynë është që nëpërmjet institucioneve të vendeve respektive të bëjmë të mundur që qytetarët të kenë mundësi të mira të komunikimeve të tyre, të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të kapitalit dhe të këmbimeve të tjera, që janë të rëndësishme për të nesërmen dhe për perspektivën e secilit vend.
Prandaj, sot themi se jemi afër realizimit praktik të asaj që e kemi vënë ide më herët për një "mini-Shengen ballkanik", apo të Europës Juglindore, për të demonstruar pjekurinë tonë edhe për proceset integruese në një plan më të gjerë", - tha dje Sejdiu gjatë konferencës për shtyp. Po në këtë qëndrim ka qenë edhe Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, i cili mbështetur këtë nismë, ndërsa ka theksuar se tashmë pas Maqedonisë dhe Malit të Zi, u takon qytetarëve shqiptarëve dhe atyre kosovarë që të lëvizin të lirë në hapësirën Shengen të BE-së. "Kemi folur shumë për lëvizjen e lirë të njerëzve.
Maqedonia dhe Mali i Zi kanë fituar statusin për këtë lëvizje dhe ne jemi të gëzuar për këtë. Shqipëria është në prag të marrjes së këtij statusi dhe kam parë që i njëjti gëzim qëndron edhe tek kolegët e mi. Edhe sot unë shpreha qëndrimin tim që statusit të lëvizjes së lirë të njerëzve në rajonin tonë kurrsesi nuk duhet t'i qëndrojë larg edhe lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës", - ka theksuar Topi.
Ndërkaq, Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, ka thënë se lëvizja e lirë është çështja kyçe për integrimin. "Për temën kryesore, atë të lëvizjes së njerëzve, të katër vendet kanë themeluar një mini-shengen dhe kjo është thelbësore për integrimin europian", - është shprehur Vujanoviç. Ndërsa Presidenti i Maqedonisë, George Ivanov, ka thënë se mini-samite të tilla prodhojnë edhe rezultate konkrete, duke evidentuar zgjidhjen e çështjes së kufirit midis Kosovës dhe Maqedonisë.
"Kur bëjmë elaborimin e samitit të Vlorës deri me këtë të sotmin në Prizren, janë shënuar përparime evidente në raportet ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës. Ne kemi zgjidhur çështjen e kufirit, pastaj kemi vendosur marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadash, si dhe kemi nënshkruar shtatë marrëveshje, gjë që tregon se kemi vendosur kornizat e bashkëpunimit ndërshtetëror", - ka theksuar Ivanov. Ky është takimi i dytë i katër liderëve të rajonit pas atij në qytetin e Vlorës.
--------------------------------------------------------------------------------
FIER- Ish presidenti Alfred Moisiu ka deklaruar nga Fieri se nevojitet transparencë e plotë për zgjedhjet e shkuara, ndërkohë që i ka bërë apel liderëve politikë për bashkëpunim.
I pyetur për situatën politike në të cilën ndodhet vendi, Moisiu ka vlerësuar kontributin e dhënë nga ndërkombëtarët për tejkalimin e krizës, por ka pranuar se në fund të fundit problemi duhet zgjidhur nga vetë krerët e politikës.
"Falenderojmë partnerët dhe ndërkombëtarët për kontributin dhe interesin që tregojnë, por hallet tona ne duhet t'i zgjidhim vetë"- ka thënë Moisiu, duke shtuar se një nga shkaktarët e problemeve janë komisionerët me bindjen e verbër ndaj partiakëve.
Ndërkohë ish presidenti Rexhep Mejdani e ka quajtur të përmbushur misionin e PS-së për rritjen e ndjeshmërisë për votën e lirë. Sipas tij, tashmë pjesa tjetër e aksionit politik duhet të zhvillohet në Parlament.