E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financieri nën akuzë për vjedhjen e arkës së firmës

Prokuroria mbyll hetimin

TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit, mbylli hetimet dhe dorëzoi për gjykim dosjen penale në ngarkim të ish-financierit të një hoteli të njohur në vend, beratasit Vangert Beqollari, i cili pasditen e 8 prillit 2010 vodhi shumën prej 6.3 milionë lekë të reja nga kasaforta e hotelit që ndodhej në zyrën e tij ku punonte.

Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të institucionit të akuzës dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, ku kjo e fundit me ndihmën e shortit elektronik ka caktuar gjyqtaren Antonela Prendi për gjykimin e çështjes. Sipas kërkesës për gjykim me nr.1632, rezulton se prokurori i çështjes, nga hetimet dy mujore ka arritur të provojë se i pandehuri Beqollari, ka konsumuar veprën penale të " Vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën".


"Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se pasditen e së premtes, konkretisht mëngjesin e datës 9 prill 2010, punonjësit e hotelit sapo kanë ardhur në punë kanë konstatuar se është kryer vjedhja e parave që ndodheshin në kasafortën e hotelit, të vendosur në zyrën e financës. Menjëherë, pas këtij konstatimi, administratori i hotelit ka kryer kallëzimin në Komisariatin nr.3 të Policisë së kryeqytetit.

Pas denoncimit, efektivët e policisë me ndihmën e ekspertëve daktilografist të gjurmëve të gishtave, kanë konstatuar se kasaforta është hapur nga ekonomisti i hotelit që mbante bilancet, shtetasi 27 vjeçar Vangert Beqollari"-thuhet në dosje. Pas kryerjes së këtij akt-ekspertimi dhe me ndihmën e një punonjësi të hotelit, policia ka konstatuar se i pandehuri Beqollari në profilin e tij të rrjetit social "Facebook" ka publikuar një foto, ku dukeshin paratë e "vjedhura" që mbanin dedikimin "këto para janë për kazino".

"Mbi bazën e këtyre informacioneve dhe gjurmëve të gishtave të gjetur në kasafortë, policia me urdhër të prokurorit të çështjes, mesditën e datës 11 prill ka ushtruar kontroll në banesën e të pandehurit 27- vjeçar Baqollari, ku kanë gjetur shumën prej 4 milionë lekëve të reja, që mendohej se ishin të hotelit ndërsa shuma tjetër, sipas vetë pohimit të të pandehurit ishte harxhuar në një lokal kazinoje që ndodhet në bulevardin "Zogu i Parë" shumë pranë hotelit ku i kishte vjedhur paratë",-thuhet në dosje.


Me të konstatuar dhe gjetur këto prova dhe pohimi i vetë të pandehurit, prokuroria vendosi arrestin e tij duke izoluar edhe me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë me masën e sigurisë "arrest me burg". Po me këtë masë shtrënguese i pandehuri 27- vjeçar nga Berati por me banim në Tiranë do të gjykohet për akuzën e ngritur ndaj tij.
F.Vezaj

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›