Mjekët e maternitetit: S'të marrim shumë lekë se je pa punë
"Duhen 300 mijë lekë për stafin që do të marrë pjesë në operacion, pasi në ndërhyrje do të marrin pjesë edhe mjekë të tjerë"
Zbardhen përgjimet e prokurorisë ndaj mjekëve të Maternitetit "Mbretëresha Geraldinë",
Tirane- "Me që je pa punë, ty do të të marrim para më pak se sa të tjerëve, për operacionin e gruas tënde-, kjo ishte kërkesa cinike e mjekëve të maternitetit "Mbretëresha Geraldinë" në kryeqytet, ndaj bashkëshortit të një pacienteje të shtruar në këtë spital për të lindur.
Por për shkak të probleme shëndetësore, të mungesës së gjakut, të konstatuar nga mjekët ajo duhej të kryente një operacion. Mjeku Janaq Kasapi, me të cilin kishte kontaktuar bashkëshorti i pacientes, i ka komunikuar se duheshin paguar para për grupin e mjekëve që do të merrnin pjesë në operacion.
Po kështu ai i ka pohuar se duhej të paguante edhe infermieret që do të ishin të pranishme në operacion dhe do të ndihmonin mjekët. Këto fakte janë pohuar nga prokurori Ardian Braho, gjatë seancës së dhënies së masës së sigurisë, i cili përfaqësonte në seancën e masës së sigurisë për këtë dosje, prokurorin e çështjes, Julian Xhengo.
Në këtë hetim, mjeku kirurg Janaq Kasapi si dhe kolegu i tij, Arti Qosja mjek reanimator, akuzohen për veprën penale të mitmarrjes dhe të korrupsionit pasiv të personave që kryejnë funksione publike, pas denoncimit të kryer ndaj tyre nga Binak H., bashkëshortja e të cilit ishte shtatzënë dhe se duhej të lindte në maternitetin "Mbretëresha Geraldinë".
Sipas përfaqësuesit të akuzës, e shprehur në vendimin e gjykatës, Binak H, 35 vjeç nga Kukësi, banues në rrugën "Frano Bardhi", në Tiranë, në 23 mars të këtij viti kishte denoncuar në drejtorinë e Policisë së qarkut të Tiranës, pranë seksionit të Antikorrupsionit, Janaq Kasapin, mjek në spitalin Obstetrik "Mbretëresha Geraldinë", në bulevardin "Zogu i Parë", në kryeqytet. Sipas denoncuesit, bashkëshortja e tij kishte shtatzaninë e saj të dytë dhe ishte në muajin e nëntë dhe për këtë qëllim kishte shkuar për ta ndjekur këtë periudhë në maternitet për mjekim më të specializuar.
Mjeku roje me që lindjen e parë e kishte ndjekur mjeku gjinekolog, Kasapi, i këshilloi Binakut, që ai të komunikonte me të. Sipas pretendimit të Prokurorisë, të nesërmen ai ka takuar gjinekologun.
Ky i fundit i ka pohuar pas vizitës se bashkëshortja ishte anemike dhe se mund të ishte e nevojshme dhënia e gjakut prej kallëzuesit. Në këtë takim, sipas pretendimit të kallëzuesit, Kasapi ka komunikuar edhe faktin se duheshin marrë masat për paratë, pasi ishin disa mjekë që do merrnin pjesë në operacion, por Binaku i ka pohuar se kishte vetëm 10 mijë lekë me vete të cilat ia dha mjekut.
Me 23 mars, Kasapi i ka pohuar Binakut se duheshin edhe 300 mijë lekë, pasi duheshin ndarë me stafin. Sipas deklarimeve të të dëmtuarit, mjeku Kasapi i kishte pohuar gjatë bisedës, bashkëshortit të Fide H, se atij po i merrnin pak para se ishte i papunë, ndërsa të tjerëve iu merrnin më shumë.
Menjëherë pas këtyre kërkesave, i dëmtuari ka depozituar një kallëzim në policinë e kryeqytetit, ku hetuesit e njësisë së Antikorrupsionit të policisë, e kanë pajisur me mjete përgjimi.
Nga përgjimi i kryer, ka rezultuar se nga bisedat e të dëmtuarit me mjekun Kasapi, si dhe me persona të tjerë, mjeku gjinekolog e ka këshilluar bashkëshortin e pacientes t'iu japë para infermiereve.
Ai më tej ka pohuar se paratë ia kishte shpërndarë stafit që kishte marrë pjesë dhe që kishte asistuar në lindjen e fëmijes së tij. Po kështu në transkriptet e përgjimeve të siguruara nga organi i akuzës, referuar vendimit të gjykatës, mjeku i ka treguar Binakut edhe për sasinë e parave që ai kishte mbajtur vetë.
Në fund, pas kërkesave të palëve, Gjykata vendosi që ndaj mjekut Kasapi dhe kolegut të tij, të vendosej masa e sigurisë me garanci pasurore në masën e 500 mijë lekëve të reja. Të dy ata akuzohen për veprën penale të mitmarrjes dhe të ushtrimit të korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.