E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mokra n’Fest” ndez atmosferën, rikthehet tradita e ndarjes se kulaçit dhe dollia me 101 shëndete

Këtë fundjavë në Mokër, pranë qytetit të Pogradecit u zhvillua festa që promovon traditat më të mira të kësaj zone.

Duke nisur nga tradita e ndarjes së kulaçit, dollia me 101 shëndete apo edhe vallja dyshe e burrave ishin në qendër të kësaj feste që mblodhi rreth 4 mijë banorë e turistë në Urën e Golikut.

“Festa e Mokrës festohet për herën e tretë pranë urës së Golikut, është monument kulture i kategorisë së parë, i përket shekullit të 17. Është urë mjaft e rëndësishme e degëzimit të rrugës Egnatia që asokohe kalonte përgjatë Mokrës, promovon turizmin, promovon monumentet e kulturës që Mokra i ka të shumta. Krahasuar me vitet e tjera ka një numër mjaft të madh njerëzish kjo falë promovimit që është bërë”, tha Ledjan Zeqollari, Drejtor i Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore.

Mokra është e njohur edhe për gatimet e veçanta, por edhe për rakinë.

“Mokra e njohur për tradita, për punëdore, për byrek, mishin në hell, fasulet. Kulaçi, bukë me brumë, sodanik, me miell prej misri. Rakinë e pinë edhe burrat e gratë, bëjnë dolli”, tha një banor.

Kjo festë mblodhi qytetarë që jetojnë brenda dhe jashtë kufijve të vendit.

“Kam ardhur se më pëlqen shumë Mokra, gëzuar Festën e Mokrës. Jam nga Peshkopia, hera e parë në Mokër. Shumë bukur”, tha një tjetër.

“Jam nga Rumania. Kam vjehrrin këtu. Kam burrin shqiptar. Kam dy vjet. Më pëlqen. Do rikthehem”, u shpreh një turiste.

Mokra n’Fest solli më të mirën e këngëve e valleve të zonës, ndërsa gjatë mbrëmjes pati edhe spektakël në ajër, ku Fiona Rushiti dhe vajza të tjera performuan për pjesëmarrësit e festës.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›