E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot Milan-Bari në Tring, kuqezinjtë debutojnë në Kupë përpara tifozëve të vet në “San Siro”

Komo, Venezia, Kaljari dhe Palermo u bënë skuadrat e radhës të kualifikuara për në fazën e 1/16 të Kupës së Italisë. Nuk munguan emocionet dhe duelet e forta në takimet e transmetuara në Tring.

Palermo e Serisë B, surprizoi Kremonezen e cila në këtë sezon do të luajë në Serie A. Skuadra siciliane që financohet nga sheikët e Manchester Cityt, ka ndërtuar një ekip simpatik dhe këtë gjë e tregoi edhe në duelin e Kupës. Ata luajtën më mirë sesa Kremoneze, ndonëse nuk mundën të fitonin në kohë të rregullt. Gjithçka u zgjidh te goditjet e penalltive. Palermo ishte e saktë në të pesta goditjet, ndërsa vendasit gabuan goditjen e pestë dhe të fundit me anë të Jonsen.

Me penallti kaloi edhe Kaljari pasi në kohë të rregullt nuk mundi të fitonte ndaj modesteve të Virtus Entela teksa gjithçka u mbyll me shifrat 1 me 1. Pikoli kaloi në avantazh sardët në fundin e pjesës së parë. Pak minuta para fundit Kaljari goditi shtyllën, e jo vetëm kaq por Mina humbi edhe një penallti. Nga ana tjetër ndodhi befasia pasi autogoli i Dejoles barazoi shifrat dhe çoi ndeshjen te penalltitë, aty ku Kaljari ishte më i saktë.

Sukses edhe për Komon e Fabregas. Lombardët fituan 3 me 1 me përmbysje kundër Sudtirol, skuadër që kaloi në fillim në avantazh me anë të Kaziragit. Mirëpo Duvikas dy herë dhe Da Kunja vulosën suksesin e Komos. Fitore e lehtë 4 me 0 për Venezian kundër Mantovës. Dumbia dy herë dhe Jeboah dy herë të tjera vulosën suksesin e ishullorëve.

Sot janë në program katër ndeshje të tjera të Kupës së Italisë në Tring. Spikat veçanërisht debutimi sezonal i Milanit që do të luajë në shtëpi kundër Barit. Ky do të jetë një prezantim i rëndësishëm për trajnerin e rikthyer Alegri dhe mjaft emra të rinj të ardhur në merkato te kuqezinjtë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›