E Diel, 1 Nëntor 2026

Molotovë kundër policisë në protestën e opozitës, Ministrja Koçiu dënon dhunën: Zgjodhën forcën në vend të fjalës

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar pas incidenteve të dhunshme të regjistruara gjatë protestës së opozitës, ku u hodhën bomba molotov drejt kordonit të policisë.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ministrja dënoi sulmet ndaj efektivëve, duke theksuar se e drejta kushtetuese për të protestuar u shpërdorua nga individë që kishin si qëllim dhunën.

Sipas Koçiut, skenat e dhunës nuk kanë lidhje me demokracinë.

“E drejta për të protestuar, për të disatën herë, u dhunua nga një grup që zgjodhi forcën në vend të fjalës, duke sulmuar dhe lënduar punonjësit e Policisë së Shtetit. Dhuna nuk mund të jetë kurrë një mjet dhe asnjë lloj agjende nuk e justifikon përdorimin e saj,” shkruan ministrja.

Koçiu vlerësoi qëndrimin e forcave të rendit, të cilat sipas saj, treguan vetëpërmbajtje përballë provokimeve dhe rrezikut fizik.

“Mirënjohje për çdo punonjës policie që tregoi profesionalizëm dhe maturi,” u shpreh ajo, duke garantuar se Policia e Shtetit do të vijojë të jetë në krye të detyrës për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve dhe pronën publike, pa cenuar të drejtën e protestës paqësore.

Ministrja Koçiu pritet të vizitojë punonjësit e Policisë të lënduar në tubimin e sotëm, pranë QSUT “Nënë Tereza”, ku do të ketë edhe një komunikim me mediat.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›