Policia shoqëron 13 persona pas protestës së opozitës, Proda: Efektivët treguan profesionalizëm para barbarizmit ekstrem

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, bëri të ditur se deri tani janë shoqëruar 13 persona për dhunë të ushtruar gjatë protestës së opozitës.
Gjatë vizitës në QSUT, ku takoi efektivët e lënduar, Proda vlerësoi profesionalizmin e treguar nga forcat e rendi ndaj asaj që ai e quajti dhunë barabanë ekstreme.
“Janë 13 të shoqëruar deri tani dhe falenderoj për profesionalizmin që treguan punonjësit e policisë. Jam krenar për vetëpërmbajtjen dhe qytetarinë që treguan sot përballë një barbarie ekstreme. Hetimet sapo kanë filluar, kemi bërë thirrje që të miturit të distancohen dhe në ditët në vazhdim do të kemi qëndrimet tona për situatat e ndodhura”, tha Proda.
Opozita zhvilloi këtë të martë, 10 shkurt, protestën e radhës kombëtare në Tiranë, e cila u shoqërua me tensione dhe hedhje molotovësh drejt Kryeministrisë dhe Parlamentit.
Skenari i protestës së sotme duket se pasqyroi ngjarjet e protestës së kaluar, ku u hodhën molotov drejt Kryeministrisë dhe Parlamentit. Për të shuar flakët dhe larguar protestuesit, ndërhynë autobotët me ujë, ndërsa u përdor edhe gaz lotsjellës. Nga hedhja e molotovëve raportohet se u lënduan 16 punonjës policie.
/rtsh.al/