E Diel, 1 Nëntor 2026

Monedhat e huaja të paqendrueshme në raport me lekun, euroja në rënie minimale

TIRANË, 21 mars /ATSH/ Monedhat e huaja kanë shfaqur paqëndrueshmëri të lehtë gjatë javës 16–21 mars në raport me lekun, duke reflektuar zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe raportin kërkesë-ofertë në tregun vendas.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, euro ka pësuar një rënie minimale prej 0,05 lekësh, duke u këmbyer nga 96,04 lekë në fillim të javës në 95,99 lekë në fundjavë.

Ndërkohë, dollari amerikan ka shënuar një rritje të lehtë, duke u këmbyer sot me 83,77 lekë, nga 83,45 lekë që ishte të hënën. Gjatë javës, monedha amerikane është blerë mesatarisht me 83,35 lekë dhe është shitur me 84,19 lekë.

Edhe paundi britanik ka shfaqur luhatje të vogla, pasi pas një rritjeje në fillim të javës në 111,21 lekë, ka zbritur në 111,17 lekë në fund të saj.

Në të njëjtën linjë, franga zvicerane ka ndjekur një trend rënës, duke u këmbyer sot me 105,45 lekë, nga 106,10 lekë që ishte në fillim të javës.

Banka e Shqipërisë vlerëson se kursi i këmbimit mbetet brenda luhatjeve të pritshme, i ndikuar kryesisht nga zhvillimet në bursat ndërkombëtare, si dhe nga dinamika e kërkesës dhe ofertës në tregun vendas.

e.xh/ /a.g/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›