E Diel, 1 Nëntor 2026

Monika Kryemadhi: Jeta e fshatarëve të varfër është më e lumtur

monikaGruaja e kreut të LSI-së, Monika Kryemadhi, kandidon në këto zgjedhje në qarkun e Lezhës. Ajo thotë se fillimisht nuk e njihte fare këtë zonë, por tashmë ndihet mirë, pasi ka njohur njerëzit. Sipas Kryemadhit, ajo ka njohur shumë njerëz që jetojnë në varfëri, por që jetojnë të lumtur.

Më kanë ngarkuar me detyra shumë të mëdha. Duke qenë se angazhimi im filloi për një kohë shumë të shkurtër sa i takon qarkut të Lezhës, sigurisht që ngarkesa është shumë e madhe. Më duhet të prek gjithë zonën. Janë 375 fshatra që për dy muaj, të paktën, duhet ti shkel nga dy herë. Kam gati dy javë e gjysmë që jam atje, nga mëngjesi deri në darkë, jemi një grup i madh – bashkë me vajzat e LRI-së që jemi të angazhuar – dhe mund të të them kam gjetur një situatë krejt të ndryshme nga ajo që kisha menduar. Tanimë kam një mendim krejt tjetër për Lezhën. Mikpritja është e jashtëzakonshme. Ndoshta, me sa duket ne duhet të jetojmë disa kohë nëpër qytetet e vendit tonë për ti njohur.

Njerëzit janë krejtësisht të ndryshëm nga ajo jeta e përditshme që shikojmë ne, qoftë në media, qoftë nga ajo çfarë perceptohet në përgjithësi. Jeta aty është shumë e lumtur në atë fukarallëkun e zonës, ata jetojnë me lumturinë me dashurinë që ju falin fëmijët dhe familjet e tyre, ka thënë Kryemadhi për revistën Klan.

Por, nga ana tjetër ajo thotë se është shëndoshur këto kohë, nga ushqimet që i japin lezhjanët.

Problemi i vetëm që kam pasur këto ditë është se kam filluar të shëndoshem. Ushqimi në Lezhë është i mrekullueshëm, thotë ajo duke qeshur.

Ajo ka folur edhe fjalët e përhapura disa kohë më parë, për një sëmundje të sajën.

Nuk kam pasur asnjë lloj problemi. Në atë kohë madje ka pasur nga ata që më merrnin në telefon dhe më thonin se dinin spitale shumë të mira, por jo, nuk është e vërtetë. Këto kanë qenë vetëm thashetheme në kohën e fushatës që u përdor jo vetëm kundër LSI, por kundër gjithë familjes tonë për të krijuar idenë që njeri do të ikë nga politika ndërsa tjetri do të vdesë, ndaj mos u angazhoni dhe mos u bëni pjesë e sfidave të tyre. Nuk është hera e parë që ndodh kjo dhe është krejtësisht amorale. Por këtu vlen është ajo teoria e Makiavelit: Qëllimi justifikon mjetin. Sidoqoftë është shumë e shëmtuar. Megjithatë bestytnitë thonë që kur sheh dikë në ëndërr duke vdekur, atij i zgjatet jeta, kështu që me sa duket do më zgjatet jeta, ka thënë Kryemadhi. /b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›