TemA TV/ Spahiu: Qeveria e Berishës ka rrënuar Shërbimin e Urgjencës (VIDEO)
Partia Socialiste denoncoi në vazhdën e denoncimit të dështimeve të qeverisë Berisha, problemet me Shërbimin e Emergjencës.
Sipas deputetes Klodiana Spahiu, Berisha pati premtuar krijimin e shërbimit kombëtar të urgjencës së unifikuar, por dështoi.
Ballafaquar me standardet e botës së zhvilluar, Shërbimi i Urgjencës mjekësore te ne është në kushte primitive; mbërrin me vonesë, jashtë çdo standardi normal dhe i pajisur keq, pa mjetet e shpëtimit të jetës, me personel të pakualifikuar e shumë mangësi të tjera.
Ndaj dhe populli mesa duket ka nxjerrë shprehjen se më parë mbërrin shërbimi funeral se urgjenca.
Sot shqiptarët vuajnë sepse kanë një shërbimi urgjencash mjekësore i cili nuk ofron shërbim në kohën e duhur, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve, tha Spahiu.
Teknikisht, shërbimi i urgjencave mjekësore vuan nga mungesa e mjeteve të nevojshme për transportin e urgjencave në spitale dhe qendra spitalore; mungesa e pajisjeve më elementare për të pritur një urgjencë mjekësore; mungesë koordinimi mes shërbimeve për pacientët që përfundojnë në urgjencë.
Edhe pse kalimi i Qendrës Kombëtare të Traumës në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë u trumbetua si një reforme e madhe, kjo Qendër vazhdon të vuajë po ato mangësi dhe problemeve që i paraprinin reformimit të saj.
Mungon një koordinim më korrekt mes shërbimeve, pasi ndodh shpesh që pacienti i cili paraqitet në urgjencë të sorollatet nga një repart në tjetrin. Fatkeqësisht nuk janë të rralla rastet kur për këtë arsye pacientët humbasin edhe jetën, vijoi Spahiu.
Ajo premtoi ristrukturimin e këtij sistemi me ardhjen e Partisë Socialiste në pushtet./ep