Monika merr situatën në dorë, garon për kryetare të forumit të gruas së LSI
Kishte kohë që Monika Kryemadhi nuk ishte shfaqur në skenën politike. Por as në media. U përfol shumë për shëndetin e saj derisa ajo u shfaq në një intervistë duke thënë se ishte kokrra e mollës. Më pas vijoi të jetë e pranishme në media, por pa folur shumë për politikë. Tha diku në një intervistë se qeverisja nuk bën për të se ajo është e pasuportueshme për të tjerët. Kam përshtypjen që nuk është për mua kjo gjë. Për mua është shumë e vështirë të bëj kompromise. Unë nuk e bëj këtë gjë. E përjashtoj këtë gjë. Do jem shumë radikale, e pasuportueshme për të tjerët, tha Kryemadhi.
Por sot është zbuluar se ajo qenka në garë për tu bërë kryetare e Lëvizjes së Gruas Socialiste për Kryeqytetin. Ajo ka si kundërshtare Eris Zaimin.
Duke folur përpara grave të mbledhura si delegate për të votuar për drejtuesen e Tiranës, kryetari Ilir Meta kërkoi më shumë dashuri mes shqiptarëve. Ne jemi sot këtu për të treguar vendosmërinë tonë për një Shqipëri edhe më evropiane dhe që Shqipëria të evropianizohet me tej duhet që gruaja dhe vajza shqiptare të fuqizohet më tej. Ët fuqizohet nga pikëpamja ekonomike e sociale, të fuqizohet në drejtimin e institucioneve dhe në përfaqësimin e merituar të saj në të gjithë jetën politikën e shoqërore të vendit. Unë jam i bindur në aftësitë, në talentet dhe në energjitë tuaja të jashtëzakonshme sepse ato bazohen në dashurinë e pakufishme që ju keni dhe që tregoni çdo ditë jo vetëm në familjet tuaja. Ne kemi nevojë për më shumë dashuri për njëri-tjetrin si shqiptarë, tha Meta.