Monitorim elektronik për anijet e peshkimit, rregulla të reja dhe gjoba më të larta

TIRANË, 11 shtator /ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për peshkimin”, që synon forcimin e monitorimit dhe kontrollit të aktivitetit të peshkimit, përmes sistemeve elektronike, rregullave të reja për anijet dhe masave më të forta ndaj shkeljeve.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me ngritjen dhe funksionimin e Qendrës së Monitorimit të Peshkimit (QMP), e cila do të monitorojë aktivitetet e peshkimit dhe sforcon e peshkimit 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë. QMP-ja do të mbledhë, përpunojë dhe analizojë në mënyrë elektronike të dhënat për aktivitetin e anijeve të peshkimit.
Projektligji parashikon gjithashtu përdorimin e sistemit të monitorimit të anijeve (VMS), i cili do të mundësojë gjurmimin automatik të pozicionit, kursit dhe shpejtësisë së anijeve. Për anijet me gjatësi 15 metra e më shumë parashikohet edhe detyrimi për sistemin automatik të identifikimit (AIS).
Një tjetër risi është sistemi i monitorimit elektronik në distancë (REM), përmes pajisjeve audiovizive, sensorëve dhe teknologjive të tjera. Anijet me gjatësi 18 metra e më shumë, që paraqesin rrezik të lartë për mosrespektimin e detyrimit për zbarkim, do të duhet të pajisen me sistem REM, përfshirë kamerat CCTV.
Sipas dispozitave kalimtare, sistemi i monitorimit të anijeve do të instalohet deri më 31 dhjetor 2027 për anijet me gjatësi nga 9 deri në 11,99 metra, ndërsa për anijet nën 9 metra afati është 1 janar 2030. Sistemi REM për anijet 18 metra e më shumë parashikohet të instalohet deri më 1 janar 2030.
Projektligji forcon edhe rregullat për lejet e peshkimit. Krijohet Komisioni i Përhershëm i Shqyrtimit të Lejeve të Peshkimit, me pesë anëtarë, i cili do të verifikojë përmbushjen e kritereve ligjore, teknike dhe administrative nga subjektet aplikuese.
Në kuadër të masave kundër peshkimit të paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar, përcaktohen si shkelje të rënda, ndër të tjera, peshkimi pa leje ose autorizim, falsifikimi i dokumenteve dhe të dhënave, përdorimi i pajisjeve të ndaluara, manipulimi i motorit apo pajisjeve të monitorimit, si dhe aktivitetet e peshkimit në kundërshtim me rregullat e zonave të kufizuara.
Projektligji parashikon edhe gjoba për mosinstalimin, dëmtimin ose manipulimin e sistemeve të monitorimit elektronik. Mosinstalimi i sistemit REM dënohet me 200 mijë lekë, ndërsa dëmtimi, manipulimi ose nxjerrja jashtë përdorimit e tij me 500 mijë lekë. Për transbordimin në det pa autorizim parashikohet gjobë 100 mijë lekë, ndërsa mosplotësimi ose mosdërgimi i deklaratës së transbordimit gjobitet me 50 mijë lekë.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu forcimin e sistemit të pikëve. Kur numri total arrin ose tejkalon 18 pikë, leja e peshkimit dhe/ose e drejta për të komanduar një anije si kapiten pezullohet për të paktën dy muaj. Në rast përsëritjeje, pezullimi shkon në katër, tetë dhe 12 muaj, ndërsa në rastin e pestë, kur arrihen 90 pikë, leja tërhiqet përfundimisht dhe anija nuk mund të përdoret për shfrytëzim tregtar të burimeve biologjike detare.
Projektligji parashikon edhe zgjerimin e masave për mbrojtjen e specieve detare dhe ndalimin e peshkimit, mbajtjes në bord, zbarkimit dhe tregtimit të një sërë speciesh të mbrojtura.
Ndryshimet synojnë përafrimin e mëtejshëm të kuadrit të peshkimit me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe forcimin e kapaciteteve të kontrollit, monitorimit dhe gjurmueshmërisë së aktivitetit të peshkimit.
Ligji hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
/e.xh/a.f/r.e/