Gjiknuri: Kolegji Zgjedhor shkeli parimet ligjore
TIRANË- Vendimi i Kolegjit Zgjedhor, për Partinë Socialiste, hedh hije të forta dyshimi. Deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri, deklaroi dje se Kolegji Zgjedhor nuk e ka interpretuar në mënyrë korrekte ligjin. “...kolegji ka shkelur rëndë procedurën civile, ato parime mbi të cilat duhet të udhëhiqet gjykata në nxjerrjen e një vendimi. Më konkretisht ju duhet të dini që ka një parim të përgjithshëm ku “gjykata shprehet mbi ato kërkesa që kanë palët”. Në fakt edhe në vetë arsyetimin e vendimit, gjykata e ka përmendur këtë parim. Pra gjykata shprehet për gjithçka që kërkohet dhe vetëm për atë që kërkohet. Ky është neni 6 i Kodit të Procedurës Civile, një parim që gjykata duhet ta respektojë. I njëjti parim përforcohet edhe në nenin 28 të Kodit të Procedurës Civile, ku thuhet se “gjykata shprehet për atë që kërkohet në padi, pa i kaluar kufijtë e saj”, tha dje Gjiknuri. Deputeti i PS-së shtoi se nuk ka asnjë justifikim ligjor që vendimi i Kolegjit të dilte dy ditë më vonesë. Ai theksoi se është pritur me qëllime dashakeqëse, marrja e kërkesës së padisë më parë nga ana e Partisë Socialiste dhe pastaj të zbardhej vendimi. “Në faqen 11 të vendimit thuhet: “merret e mirëqenë se KQZ ka vendosur të këqyrë të gjitha kutitë e votimit dhe të vlerësojë fletët e hedhura aksidentalisht, duke i përfshirë ato në rezultat”. Ndërkohë, si nga procesverbali i seancës gjyqësore, por dhe nga fakte që janë të njohura për të gjithë, madje dhe kolegji ka qenë në dijeni, KQZ-ja ka hetuar vetëm 117 kuti votimi. Pra nuk është e vërtetë. Ka mbi 2000 kuti Bashkia Tiranë dhe KQZ-ja hetoi vetëm 117 kuti. Pra, hapi 117 kuti. Ndërkohë në arsyetimin e kolegjit del sikur KQZ-ja na paska këqyrur të gjitha kutitë. Ky vlerësim i kolegjit, nga pikëpamja jonë, në rastin më të pakët është lapsus që lë shteg për keqinterpretim, ose prezantim faktesh të rreme. Dhe kjo është shumë shqetësuese dhe që cenon integritetin ligjor dhe moral të këtij vendimi”,- tha ai. Gjiknuri iu referua edhe një faqeje tjetër të vendimit, lidhur me referimin e Kolegjit te neni 45 i Kushtetutës. Gjiknuri tha se në këtë nen nuk përcaktohet asnjë detyrim i KQZ-së, për të numëruar çdo votë. Po dje, deputeti i PS-së citoi edhe një deklaratë të relatorit të çështjes, Tom Ndreca i cili pak ditë më parë, në një intervistë për DW, e kishte cilësuar vendimin e KQZ-së për Tiranën si akt normativ dhe jo individual, siç ishte shprehur në të shkruar në argumentimin e vendimit.