Monitorimi i trafikut në akset rrugore, nis puna për instalimin e kamerave

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut po vijon instalimin e tabelave dhe kamerave në akset kryesore rrugore në vend.
Janë vendosur 8 tabela informacioni, nga 24, përgjatë 200 km të parë, ku përfshihen segmentet rrugore: Tiranë-Durrës; Tiranë-Elbasan; mbikalimi Shkozet-Plepa; Durrës-Rrogozhinë; Rrogozhinë-Lushnjë; Lushnjë-Fier; bajpasi Fier; Fier-Vlorë; Vorë-Ahmetaq-Qafë Kashar-Rinas.
Gjithashtu vazhdon puna me ndërtimin e strukturave metalike për instalimin e 155 kamerave të monitorimit 24/24, si dhe 241 kamera identifikimi në hyrje-dalje të autostradave dhe 50 kamera për leximin e targave dhe shpejtësisë përgjatë autostradave.
Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut me sistemet kompjuterike, do të kryejë monitorimin 24 orë në 7 ditë të javës të disa prej akseve rrugore kryesore të vendit.
Zbatimi i sistemit inteligjent të transportit ka për qëllim përmirësimin e sigurisë rrugore, zvogëlimin e numrit të aksidenteve, përmirësimin e fluksit dhe lëvizshmërisë së trafikut.
Pjesë e saj janë punonjës nga ARRSH, Drejtoria e Transportit, Policia e Shtetit, Ministria e Mbrojtjes dhe Urgjenca Kombëtare, të cilët do të përpunojnë në kohë reale të gjitha të dhënat që do të vijnë përmes kamerave.
1 nga 6/r.e//a.f/