E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monodrama, tri çmime të para në Vlorë

01/09/2009  Nuk ka qenë një, por tri çmime të para, që janë dhënë në takimin e parë kombëtar të monodramës të mbajtur në Vlorë.

Dhimitër Orgocka me “Amok” të Stefan Cvajgut, Hajrie Rondo me “Klithma e një nëne të marrë” të Odise Plakut dhe Ilirian Aliu me “Ditari i një të çmenduri” të Gogolit, u shpallën të dielën në mbrëmje fitues të vendit të parë të takimit të monodramës, ku morën pjesë në konkurrim 6 aktorë nga Vlora, Fieri, Korça, Greqia, Kosova. Juria, e përbërë nga aktorët Margarita Xhepa, Birçe Hasko dhe kritiku i artit Miho Gjini, dha tri çmime, për arsye se “niveli i interpretimit të aktorëve ishte i lartë dhe konkurrenca shumë e fortë, aq sa ishte e vështirë të shpallej një fitues i vetëm”. Dhimitër Orgocka e cilësoi aktivitetin si një dëshmi të përpjekjeve që po bëhen për të zhvilluar artin skenik dhe vetë gjininë e monodramës në vendin tonë. Në natën e tretë të takimit u shfaq edhe monodrama “Ndyrësira”, me autor Robert Shnajder, interpretuar nga Lefter Simoni i teatrit “Bohemët” në Athinë. Takimi kombëtar i monodramës u zhvillua gjatë tri netve në sallën e teatrit “Petro Marko” në Vlorë. Pjesëmarrësit në këtë aktivitet ishin aktorët Dhimitër Orgocka, Ilirian Aliu, Sheqerie Buçaj, Hajrie Rondo, Lefter Simoni e Andrea Pepi, në pjesët “Amoku”, “Ditari i një të çmenduri”, “Shumë urime për ty”, “Klithma e një nëne të marrë”, “Ndyrësira” e “Siriusi”, me regji nga Dhimitër Orgocka, Luftar Veshi, Burbuqe Berisha, Mehmet Xhelili, Lefter Simoni e Llazi Serbo.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›