E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, ulet numri i anëtarëve të Dhomës së Tregtisë

01/09/2009  Shkak mosdhënia e vizave për jashtë shtetit, përpiqen t’ia dalin vetë mbanë

Sipas kreut të kësaj dhome Shezai Cobo, procedurat janë të vështira

FIER- Ka një rënie të lehtë të numrit të subjekteve dhe bizneseve të regjistruara dhe anëtarësuara në Dhomën e Tregtisë në Fier. Mungesa e asaj që quhet promovim i biznesit dhe mungesa e njohurive për lehtësirat e anëtarësisë në Dhomën e Tregtisë janë shkaqet e kësaj rënie. Kreu i Dhomës së Tregtisë në Fier, Shezai Cobo, pohon se pavarësisht kësaj, biznesmenët ia dalin vet të promovojnë biznesin e tyre. Por një shërbim tjetër i cunguar mbetet lëvizja e lirë e individëve që punojnë në kompani tregtare. Sipas Cobos, vizat për anëtarët e një kompanie apo biznesi, pavarësisht përpjekjeve të Dhomës së Tregtisë janë një procedurë e vështirë për vetëm ata administratorë apo individë që kryejnë transaksione financiare apo tregtie, dalin lehtësisht jashtë vendit. Cobo thotë se zona e vizës Shengen është e ngurtë dhe për bizneset e anëtarësuar në Dhomën e Tregtisë dhe kjo vjen për shkak të procedurave të ngurta të ambasadave të vendeve perëndimore në dhënien e vizave. “Ambasadat aktualisht edhe pse ne flasim me vite të tëra për liberalizim, janë shumë të ngurtësuara dhe kryesisht japin viza vetëm për administratorët dhe për ata që kryejnë marrëdhënie financiare, marrin mallra nga Italia, Gjermani, Greqia etj. Pavarësisht fushatave elektorale që ka bërë pushteti për liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë të biznesmenëve, realisht Shqipëria dhe bashkë me të edhe qyteti industrial i Fierit është në një pozicion që nuk ka bërë shumë hapa përpara në drejtim të liberalizimit dhe kjo jo për faj të qeverisë shqiptare, por vet ambasadave, të cilat kanë një tra të pakalueshëm të fenomenit në përgjithësi. Ata kryejnë veprime kryesisht vetëm për ata biznesmenë administratorë dhe për ata që kryejnë transaksione financiare dhe e kanë të vështirë për ata biznesmenë që dalin për herë të parë. Tentativat tona në këtë drejtim janë bërë dhe realisht është premtuar qoftë nga konsulli i Vlorës dhe pala greke, por gjithsesi dhe ata marrin urdhër nga qeveria e tyre. Unë mendoj që ky fenomen shumë shpejt do të zhbllokohet, por është një fakt, ata që janë anëtarë të Dhomës së Tregtisë e kanë disa herë më të lehtë për të marrë viza në krahasim me biznesmenë të thjeshtë që nuk janë anëtarë të Dhomës së Tregtisë”. Dhoma e Tregtisë në Fier ka rreth 300 subjekte të anëtarësuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›