Monopol mafioz mbi mbeturinat e Tiranës, persekutohen romët
Tiranë- Opozita akuzon Bashkinë e Tiranës se po instalon një sipërmarrje mafioze për të kontrolluar monopolin e mbeturinave në kryeqytet. Prej disa ditesh policia bashkiake në Tiranë ka ndërmarrë veprime që kanë çuar në bllokimin e punës së komunitetit rom, i cili ishte angazhuar në mbledhjen e mbeturinave të riciklueshme si plastika dhe kanaçe pijesh të ndryshme, për t’ua shitur kompanive të riciklimit.
Bashkia e Tiranes ka bllokuar mjetete tyre të punës si dhe shkatërroi një vendgrumbullim. Të revoltuar, pasi e kanë të vetmen mënyrë për të nxjerrë të ardhura, romët kërkojnë që tu kthehen karocat e marra dhe të lejohen të tregtojnë këto produkte, pasi është e vetmja mënyrë jetëse.
Romët theksuan se kanë 20 vite që jetojnë duke mbledhur mbeturina për t’i shitur dhe tashmë këtë punë ia ka bllokuar bashkia, duke i shkatërruar të vetmen mënyrë jetese. Ata thanë se kjo po bëhet sepse mbeturinat duhet të shkojnë diku tjetër.
Në protestën e tyre, romët janë mbeshtetur nga këshilltarët socialistë Aldrin Dalipi, Gent Gazheli e Florian Pullazi të cilët thanë se përfshirja e romeve në këtë aktivitet është projekt i disa donmatorëve të huaj në bashkinë e Korçës dhe Tiranës, që ka nisur prej tre vitesh për t’i integruar ata në jetën sociale. Në kushtet e një ndotjeje masive dhe papunësisë së këtij komuniteti, donatorët mbështetën këto projekte që synonin vetëpunësimin e romëve dhe pastrimin e mjedisit.
Ndërkohë që Dalipi akuzon bashkinë për prapaskena mafioze në ngritjen e një biznesi që do të zotërojë monopolin e grumbullimit dhe përpunimit të mbetjeve të riciklueshme në Tiranë dhe për këtë arsye po persekutohet komuniteti rom. Dalipi tha se jane mbi 30 mije rome qe mbijetojne vetem me mbeturinat dhe tashme jeta e dyre duhet te bëhet edhe më e vështirë.
Sipas informacioneve jo zyrtare, njerëz të afërt të kryetarit të bashkisë janë duke ndërtuar biznesin e riciklimit të mbeturinave në Tiranë dhe për këtë arsye mbeturinat duket të kalojnë përmes këtij biznesi ndaj dhe janë bllokuar anetarët e komunitetit rom të merren me këtë biznes.
Mbeturinat janë një mall që është në pronësi të bashkive dhe deri tani ato kanë qenë thjeshtë bezdia më e madhe e komunitetiti për shkak të ndotjes që shkaktonin. Por me futjen e biznesit të riciklimit ato po marrin vlerë dhe tashmë kanë hyre në listën e pasurive dhe gara për kontrollin e tyre tashmë ka nisur bashkë me akuzat për aferat korruptive.