Ushqime me lista nga vonesat e miratimit të buxheteve
Mosmiratimi i buxhetit të vitit 2010 për shumë njësi vendore të Qarkut të Fierit ka sjellë edhe vonesë në miratimin e fondit për ndihmën ekonomike. Kjo ka bërë që shumë familje që trajtohen me asistencë t’i drejtohen sigurimit të ushqimit të përditshëm, falë bukës me listë. Raportimi i disa komunave në shkallë qarku ka treguar se është rritur numri i familjeve të varfra. Por edhe në qytet raportohen raste pafund të marrjes së ushqimeve me listë. Zyrat e ndihmës ekonomike në komuna dhe bashki tregojnë se për muajt e parë të vitit 2010 është vonuar shpërndarja e asistencës. Në Bashkinë e Patosit, atë të Fierit si dhe në shumë komuna, asistenca nuk është shpërndarë, pasi nuk është miratuar buxheti për vitin në vazhdim. Nga ana tjetër, shitës të ndryshëm, kryesisht të ushqimoreve, shprehen se në krahasim me periudhën e mëparshme, është rritur ndjeshëm numri i atyre personave që marrin ushqime me listë. Në fshatrat Hoxharë, Darëzezë, Topojë, Sheqmarinës, Hamil, Baltëz etj., shitësit tregojnë për një listë deri në 300 persona të varfër që marrin vetëm bukën e gojës me lekë me të pritur. “Sa vijnë për të paguar ushqimet e një muaji u shtohen ato të ditëve në vijim. Ka një trefishim të atyre që marrin ushqime me listë”, kanë thënë shitësit e dyqaneve që ndodhen në fshatrat e sipërcituar. Fshatrat më të prekur nga listat e të varfërve janë ato zona ku nga shpërndarja e tokave bujqësore, shumë familje nuk kanë përfituar. Gjithashtu si familje të varfra që marrin ushqime me listë janë edhe familjet e invalidëve. Shitësit tregojnë se kryesisht bukën, vajin dhe ndonjë makaronë apo oriz marrin familjet e varfra. “Duket ashiqare se kërkojnë vetëm ushqimin e përditshëm”, ka thënë Xhevahiri, një shitës nga Baltëza. Edhe në qytetin e Fierit prezantohet e njëjta situatë. Milika, e cila ka një miniushqimore në lagjen “11 Janari”, tregon se një pjesë e madhe e banorëve të lagjes ka marrë ushqime me listë. “Ka ardhur edhe nga pagat e vonuara të buxhetorëve, por edhe si shkak i papunësisë”, ka thënë Milika.
Jo vetëm dyqanet, por edhe lokalet, tashmë po aplikojnë kafe e raki me lekë me të pritur. Baret e kategorisë së dytë në Fier kanë disa muaj që po aplikojnë dhënie kafe me të pritur lekët. Varfëria ka pllakosur në shumë familje të Qarkut të Fierit dhe të vendit, edhe për shkak të rritjes së çmimeve. Të gjithë shprehen për një rënie të ekonomisë, e cila reflektohet tek portofoli personal i gjithsecilit, portofol që në shumicën e rasteve është bosh.
#