Monstra i Laprakës, hetimet fokusohen te nxjerrja e sekretit, harrohet Juliani
Sekuestrohet kompjuteri i prokurorit, asnjë provë e re në Sharrë
Sekreti - Një kompjuter është sekuestruar, pasi ka dyshime se në këtë server mund të jetë nxjerrë për publikim dëshmia e Prenjasit
Zhdukja - Hetimet për dokumentimin e zhdukjes së Julian Çelës vijojnë të zvarriten pa asnjë shkak. Asnjë provë për trupin e vogëlushit
Sokol Çobo
Hetimet për vrasësin dhe pedofilin që jetonte në periferi të Tiranës po fokusohen më shumë te nxjerrja e sekretit hetimor sesa te kërkimet në Sharrë për gjetjen e trupit të pajetë të 10-vjeçarit Julian Çela. Ardian Prenjasi është marrë disa herë në pyetje nga hetuesit e çështjes, ndërsa pjesë nga deklarimet e tij janë botuar edhe në media. Ai ka treguar se ka dhunuar seksualisht mbi dy 10-vjeçarë, ndërsa njërin prej tyre thotë se e ka vrarë. Arrestimi u bë me shumë bujë dhe policia deklaroi me shpejtësi se kishte zbardhur edhe zhdukjen e Julian Çelës, e cila fatkeqësisht ishte tragjike për familjarët e tij. Megjithatë, kur kanë kaluar disa javë nga arrestimi i tij, grupet hetimore që janë formuar në polici dhe prokurori, më shumë kanë ecur te nxjerrja e sekretit hetimor, sesa te dokumentimi i vrasjes së Julianit, ku aktualisht, krahas dëshmisë së Ardian Prenjasit, nuk ka asnjë provë.
Sekreti hetimor
Një prokuror i Krimeve të Rënda është ngarkuar për të hetuar nxjerrjen e sekretit hetimor, pra të daljes së dëshmisë së Prenjasit në media, ku disa prej tyre kanë botuar edhe detaje nga abuzimi seksual me të miturit. Nga verifikimet e para rezultoi se disa dëshmi të botuara nuk korrespondojnë me deklarimet e monstrës në prokurori, pasi ka dyshime se këto fjalë mund ti ketë thënë në bashkëbisedim të lirë me oficerët e policisë gjyqësore. Ditët e fundit, hetuesit e nxjerrjes së sekretit hetimor kanë sekuestruar disa kompjuterë, pasi ka dyshime se nga këta serverë mund të jenë shpërndarë këto dëshmi. Megjithatë, burimet e gazetës pohojnë se këtë dëshmi e kanë më shumë se 20 persona, që nga oficerët e policisë gjyqësore, drejtuesit e Policisë së Tiranës dhe Shtetit, e deri te prokurorët dhe hetuesit e çështjes. Madje, dëshmia është lexuar dhe kontrolluar edhe nga drejtuesit e Prokurorisë së Tiranës dhe të akuzës qendrore. Pra, hetimi duhet të shtrihet ndaj të gjithë personave që kanë këtë rrëfim, pasi secili prej tyre mund të jetë spiuni. Disa veprime hetimore janë kryer deri më tani, si sekuestrimet, ndërsa tashmë do të merren edhe deklarimet e prokurorëve, hetuesve dhe gazetarëve, për të zbardhur sesi dëshmia e monstrës së Prenjasit u publikua në media.
Kërkimet për Julianin
Ndërkohë që hetimet për nxjerrjen e sekretit hetimor kanë avancuar së tepërmi, madje edhe veprime të shpejta marrjesh në pyetje dhe sekuestrimesh, kërkimet për gjetjen e trupit të Julian Çelës vijojnë të jenë në vendnumëro. Ende nuk është gjetur asnjë provë për këtë ngjarje, aq më tepër që personi i zhdukur pasditen e 30 nëntorit 2012 është djali i një zyrtari të lartë të SHISH-it. Familjarët e Julianit i kanë kërkuar grupit hetimor që të gërmojnë vetë në Sharrë, pasi forcat xheniere dhe punonjësit e landfillit po i zvarrisin këto kërkime. Megjithatë, një kërkesë e tillë është refuzuar dhe tashmë mbetet vetëm fati që trupi i Julianit të gjendet.
Monstra i Laprakës, hetimet fokusohen te nxjerrja e sekretit, harrohet Juliani burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email