Montexemolo: I zhgënjyer nga Shumaher, por do të mbetemi miq
Luka di Montexemolo është shprehur "i zhgënjyer" nga vendimi i Mikael Shumaher, që po mendon t‘i rikthehet karrierës si pilot në Formula 1. Presidenti i Ferrarit theksoi se pavarësisht faktit që shtatë herë kampioni i botës ka vendosur t‘i bashkohet skuadrës Mercedes, ata do të vazhdojnë të jenë miq. Gjatë një interviste për francezen "L‘Equipe", ai ka folur edhe për periudhën kur Shumaher mendoi të kthehej në pistë si zëvendësues i Felipe Masës, por kjo dëshirë nuk u realizua për shkak të dhimbjeve që gjermani kishte në qafë. "Në momentin kur u bind se duhej të hiqte dorë nga rikthimi prej dhimbjeve në qafë, ai nuk ishte i mërzitur, por i shkatërruar…", tha Montexemolo. Numri 1 i "kokëkuqes" shpreh edhe keqardhjen që nuk arriti të realizonte idenë e garimit me tri makina, ndërsa është shfaqur optimist për dyshen e pilotëve Masa-Alonso, që do të garojnë në Botërorin 2010. Për emërimin e Zhan Todt në krye të Federatës Botërore të Automobilizmit (FIA), Montexemolo deklaroi: "Mendoj se Todt është personi i duhur për ta drejtuar këtë institucion".