Çelsi, 62 milionë euro për Agueron dhe De Rosin
Pas merkatos jo të bujshme të verës, Roman Abramoviç është i gatshëm të investojë rreth 62 milionë euro për afrime futbollistësh gjatë janarit. Në fund të sezonit të kaluar, Çelsi bleu vetëm mesfushorin e talentuar të përfaqësueses ruse, Juri Zhirkov, për afro 20 milionë euro dhe në mënyrë surprizë drejtuesit e deklaruan të mbyllur "fushatën" e përforcimeve. Por, në fillim të vitit 2010, trajneri Karlo Ançeloti nuk do të ketë në dispozicion tre lojtarë shumë të rëndësishëm, që do të luajnë në Kupën e Afrikës dhe për këtë arsye Abramoviç ka miratuar një fond të konsiderueshëm për blerje. Prej disa muajsh, sytë janë drejtuar nga sulmuesi i Atletikos së Madridit, Serxho Aguero. Talenti argjentinas cilësohet nga tekniku italian si partneri ideal i Didië Drogbasë në repartin ofensiv. Vetëm disa vite pasi shitën Fernando Torresin te Liverpuli, "kolçoneros" duket se janë të gatshëm të privohen edhe nga shërbimet e "El Nino"-s, për të cilin kërkojnë pak a shumë të njëjtën shifër: 45 milionë euro. Përforcime synohen edhe në mesin e fushës, ku emri më i lakuar në ambientet e klubit londinez është ai i lojtarit me tipare mbrojtëse të Monakosë, Jerko Leko.
Sipas të gjitha gjasave, marrëveshjet për Aguerron dhe Lekon mund të realizohen. Megjithatë, ekziston mundësia që dy klubet mund të tentojnë të ngrenë çmimet e futbollistëve të tyre, me shpresën se do të përfitojnë më shumë të ardhura për arkat e tyre. Për këtë rast, manjati i Çelsit ka përgatitur edhe planin rezervë. Alternativa për sulmin është gati: bëhet fjalë për Luis Suarez, fantazistin 22-vjeçar nga Uruguai, i cili është një prej lojtarëve kryesorë të Ajaksit të Martin Jol. Ndërkohë, në mesfushë alternativat janë Xhek Roduell i Evertonit dhe lojtari i përfaqësueses italiane e Romës, Daniele de Rosi. Ky i fundit është një prej mesfushorëve të preferuar të Ançelotit, i cili beson se verdhekuqi përkrah Lampard dhe Esien do të formonte një repart të jashtëzakonshëm. Por, ka edhe një problem: nëse afrohen Aguero dhe De Rosi, ata nuk do të mund të luajnë në këtë edicion të Champions League.