Optimizmi i Xhon Territ: Anglia mund ta fitojë Botërorin 2010
Kapiteni i përfaqësueses angleze, Xhon Terri, beson se skuadra e drejtuar nga Fabio Kapelo ka shanse të mira që të triumfojë në Kupën e Botës 2010, e cila do të zhvillohet në Afrikën e Jugut. Gjithsesi, mbrojtësi nuk pranoi të dilte garant që gjatë verës do t‘i jepej fundit pritjes për trofeun prestigjioz. "Nuk më pëlqen të flas me siguri rreth faktit se Anglia mund ta fitojë Botërorin 2010", deklaroi ai. "Ne do të mundohemi të japim më të mirën, të tregojmë kualitetin tonë në fushë. Mendoj se kemi potencial të tillë sa mund të konkurrojmë pa frikë me ekipe si Brazili, Argjentina, Spanja apo Portugalia. Edhe këto skuadra janë mjaft të forta. Kemi mentalitetin e duhur për të realizuar objektivat, por mendoj se në garë do të jenë shtatë ose tetë skuadra". Më tej, 29-vjeçari foli edhe për grupin e "Tri luanëve", që nuk cilësohet i vështirë. "Të gjithë mendojnë se Anglia luan në një grup të lehtë dhe i nënvlerësojnë kundërshtarët. SHBA-në e shoh si një kundërshtar mjaft të vështirë. Duhet të jemi të përqendruar dhe të evitojmë euforinë", përfundoi ai.