E Diel, 1 Nëntor 2026

Montimi i akuzave të paqena nga Sigurimi i Shtetit

05-09-2011 / Nga Luan Myftiu

Para se ta arrestonte, sigurími i shtetit e kishte marrë vendimin për masën e  dënimit ndaj një personi. Pra, duke qenë se hetuesia ishte formale, xhelatët komuniste kujdeseshin vetëm për degradimin moral të viktimave. Por parapëlqenin detyrímin e të pandehurit për të pranuar bashkëpunimin me ata, që s’i kishin lënë viktimës poshtërsí pa kryer. I pandehuri, pra, duhej të bashkëpunonte me ata që i kishin zhdukur prindërit, që i kishin rrqë i kishin rrëmbyer shtëpinë dhe pronën, e kishin flakur qysh fëmijë nëpër bodrume të errëta dhe e kishin lënë rrugëve pa shkollë, pa punë e pa zanat. Cinizmi i xhelatëve komunistë nuk ka pasur kufí. Veç izolimit dhe pasigurisë për të nesërmen, Sigurimi u lakmonte viktimave dinjitetin. Degradimi i tyre moral ishte kapitali më i ndyrë, fitorja më e madhe për diktaturën. Se, kështu, të katandisur me dhunë në tradhtarë të shtresës së tyre, kundërshtarët bëheshin të parrezikshëm për komunizmin. Megjithatë, diktatura as të degraduarve prej saj, nuk u besonte. Ajo i kontrollonte spiunët me të tjera hafije. Se kjo dinake e dinte që nuk mund të prodhohej besnikërí nga poshtërsía! Nuk mund të besonte Sigurími në devotshmërínë e të mashtruarve prej tij. Nuk mund të mbështetej ai tek sinqeriteti i atyre, që kishte shpërfytyruar me “kopaçe”. Megjithatë, ai u gëzohej “thyerjeve” të kundërshtarëve nën tortura si çdo poshtërsie tjetër që kryente. Se, edhe të pabesueshëm, këta nuk do të guxonin t’u kundërviheshin xhelatëve, që i kishin paralajmëruar se ç’lloj vdekje i priste, në rastin e një loje të dyfishtë. Ndoshta prandaj Sigurimi i shihte vazhdimisht me dyshim këto viktima, të cilat, nën torturat e tij, nuk kishin mundur ta ruanin të pastër dinjitetin. Prandaj ndodhte që, kur këta të shpërfytyruar mbaronin dënimin, arrestoheshin rrugës për në shtëpí, duke u dërguar në internime. Ndërkohë diktatura mburrej që krijonte sa më shumë të tillë njerëz të poshtëruar, sepse me ta forconte unitetin “partí- popull”. Intrigat e hetuesive ishin aq të holla, sa ndodhte që të burgosurit të mos e kuptonin përse ishin dënuar. Madjé, shpesh edhe gjykatat viheshin në pozita qesharáke para vendimeve paraprake të Sigurimit të Shtetit. Se ndodhte që i dënuari t’i thoshte trupit gjykues të mos e zgjaste procesin e gjykimit, pasi atij ia kishin “prerë fustanin” me dhjetë vjet heqje liríe qysh në hetuesi. Ndaj, edhe kur trupi gjykues, i fyer, e ndryshonte masën e dënimit duke komunikuar një pretencë me nëntë vjet, prapë detyrohej që në vendim të deklaronte aq vite heqje liríe sa kishte thënë i pandehuri. Se gjyqet e diktaturës ishin ca komedí groteske, ku gatuhej vetëm frikë e terror, të cilat synonin shkatërrimin e personalitetit të njeriut. Për ta “rrëzuar” të pandehurin, hetuesit e Sigurimit përdornin lloj-lloj marifetesh. Pasi e torturonin mizorisht viktimën, e linin ca kohë ashtu në pritje të masakrimit tjetër, pastaj, befas, i silleshin “butë” për t’i krijuar iluzionin se dhe mund ta lironin. Xhelatët loznin kështu me nervat, ndjenjat, pagjumësínë, dashurínë prindërore, ardhmërínë e fisit të të pandehurit si ajo macja me mínë. Sidomos, po të kihet parasysh që viktima, e rraskapitur nga net të tëra pa gjumë, arsyetonte jo më shumë se një fëmijë pesë vjeç. Ndaj duhej përvojë e pasur dhe intuitë e hollë, njohje e thellë e ligësive të Sigurimit të Shtetit, që t’u shpëtoje “grackave” të këtyre dhelprave të stërvitura. Kurthet ishin nga më të pabesueshmet. Detyroheshin miq të të pandehurit, që të fusnin kokën në sportelin e qelisë së viktimës vetëm për të thënë dy fjalë të rëndomta: “Po! Ky është!”. Dhe të largoheshin. Të nesërmen hetuesit i kërkonin viktimës të pranonte një bisedë të sajuar, që, siç e dëgjoi dhe vetë viktima, miku gjoja, ia paskësh besuar atë Sigurimit. Kush nuk kishte habér nga djallëzitë komuniste, mund të binte fare lehtë viktimë. Gënjeshtrat, trillimet, presionet dhe deformimet e deponimeve në hetuesi kanë qenë arsenali i atyre poshtërsíve të shpikura nga kushedí ç’mendjesh djallëzore. Ato përbënin mekanizmin e intrigave pa fund, me të cilat u implikuan në krime qindra, në mos mijëra njerëz të pafajshëm. Por, në themel të tyre qëndronte tortura fizike dhe ajo morale, presionet psikologjike, shfrytëzimi i ndjenjave të shenjta njerëzore. Të pandehurit e pafajshëm, që kalonin në hetuesitë speciale, kishin provuar atje tmerre, nga të cilat, ose qenë çmendur, ose do të lëngonin tërë jetën nga depresione të rënda. Prandaj shumë prej tyre nuk gëzoheshin, që kishin mbetur gjallë. Përkundrazi! Ata edhe gjatë procesit të hetuesísë kishin patur zilí shokët që pushkatoheshin. Diktatura i dinte këto, prandaj atyre që s’u jepte dënim kapital, i shkatërronte duke ua tregua fotografitë e shokëve të masakruar prej saj, vetëm pasi këta të kishin kaluar “furtunën” e tmerreve, të ishin qetësuar, t’u kishte lindur përsërí dashuría për jetën. Hetuesit e Sigurímit ishin përgatitur profesionalisht si të montonin akuza false, duke deformuar fjalët e të pandehurve; si të mashtronin dëshmitarët; si ta detyronin viktimën të pranonte fajësítë e paqena; madjé, si të “bindej” dhe vetë kjo viktimë, se i kishte kryer vërtet ato krime, për të cilat as që kishte menduar. “Kaçatorët” e Sigurimit gjuanin gabime, a dobësí të njerëzve, të piketuar prej Sigurimit, qoftë edhe duke marrë një kokërr mollë në kopshtin e tyre, të kolektivizuar. Pastaj operativët e sigurimit e thërrisnin “hajdutin” natën dhe i kërkonin bashkëpunim në këmbim të faljes së mëkatit. Hetuesit shpallnin si kriminelë njerëz, që nuk kishin shkelur një mizë, ose akuzonin për vese njerëzit më të ndershëm të krahinës. Duhej doemos të katandiseshin viktimat të urrenin veten dhe të ishin të përçmuara nga shoqëría. Meqë ligësitë e diktaturës janë të tilla sa nuk mund të përshkruhen, mallkimi rëntë mbi kokat e xhelatëve të papenduar! Kurse demokracía nuk duhet t’i mbajë në poste këta kriminelë!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›