Berisha: Marrëdhëniet me SHBA, të shkëlqyera - Integrimi në BE një Yll Polar për ne
Kryeministri Berisha falënderon presidentin e Hondurasit për qëndrimin që shteti i tij ka mbajtur ndaj çështjes shqiptare në rajon si dhe ka shprehur shpresën për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve
“Qeveria është e gatshme dhe e vendosur që të bëjë gjithçka për integrimin e Shqipërisë në Evropë. Ky është edhe Ylli Polar i reformave në vendin tonë dhe ecurisë së zhvillimit të tyre”. Kështu u shpreh kryeministri Sali Berisha gjatë një konference të përbashkët me presidentin e Hondurasit, të cilit pohoi se i tha në takim që e ardhmja e shqiptarëve, është ajo në Bashkimin Evropian, një e ardhme që ata e meritojnë. "Qeveria është e gatshme, e vendosur të bëjë gjithçka për integrimin e Shqipërisë në Europë. Ky është edhe ylli polar i politikës sonë, por edhe i të gjitha reformave tona. Sapo dolëm nga bisedimet, në të cilat unë i thashë Presidentit se shqiptarët sot janë të ndarë në disa shtete, janë kudo vazhdimësi gjeografike dhe etnike, por janë të lirë e të sigurt se e ardhmja e tyre më e mirë është në Bashkimin Europian dhe se janë të vendosur të punojnë me seriozitetin më të madh për këtë proces integrimi. Një proces ky, duhet të theksoj, jo i thjeshtë, por një proces shumë i rëndësishëm për të pasur një të ardhme që meritojnë. Në këtë kontekst, dua të theksoj se qeveria në mënyrë të përsëritur ka bërë të qartë se është tërësisht e hapur ndaj Komisionit të Venecias, se mirëpret kontributin e këtij Komisioni në reformën zgjedhore e të OSBE/ODIHR. Kodi aktual Zgjedhor është ligji zgjedhor më konsensual në historinë e vendit. Ligj, me të cilin qeveria nuk ka refuzuar qoftë edhe një nen të vetëm të propozuar nga opozita. As edhe një nen të vetëm. Ligj, i cili ka pasur ekspertizën e Komisionit të Venecias dhe të OSBE/ODIHR. Kjo ekspertizë e vlerëson këtë ligj si një bazë ligjore solide për zgjedhje demokratike. Duke theksuar këtë, ekzistojnë në dy zgjedhjet e fundit, një seri rekomandimesh të OSBE/ODIHR-it. Mendoj se në përpjekje të përbashkët me opozitën, ne i kemi të gjitha gjërat tani të qarta në tryezë. E garantoj se qeveria është plotësisht e vendosur të zbatojë, të konvertojë, përktheje në ligje e vendime, sëbashku me opozitën, secilin prej këtyre rekomandimeve. Ne mirëpresim plotësisht ekspertizën e Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it, në konkretizimin apo në shndërrimin në ligj brenda standardeve ndërkombëtare të këtyre rekomandimeve. Qeveria do të pranojë çdo propozim konstruktiv nga opozita dhe do ta vlerësojë e shqyrtojë atë me interesin e seriozitetin më të madh. Ky është një qëndrim konstant i kësaj qeverie, nuk ka lidhje me kushte. E rëndësishme është që bashkërisht të punojmë për konsolidimin e shtetit ligjor, lirive dhe të drejtave të qytetarëve, institucioneve demokratike", tha ai. Kurse i pyetur mbi kabllogramet e Wikileaks-it, kreu i qeverisë tha se ka gjetur aty një pasqyrë të shtypit të përditshëm shqiptar, akuzave të ndërsjella që forcat politike i adresojnë njëri-tjetrit. “Për mua, Wikileaks është një Arsen Lypen i kohërave moderne, ka bërë një vjedhje”, tha kreu i qeverisë. "Së pari, ajo që ju këshilloj është t’i lexoni sa më shumë. Së dyti, meqenëse më pyetët, kam gjetur aty një pasqyrë të shtypit të përditshëm shqiptar të akuzave dhe ndër-akuzave të ndërsjella që forcat politike adresojnë ndaj njëra-tjetrës. Unë qëndrimet e mia ndaj Wikileaks i kam shprehur. Ai është një Arsen Lupen i kohërave moderne, ka bërë një vjedhje dhe këtu nuk ndryshon qëndrimi im ndaj zotërisë, i cili nëpërmjet një operacioni të paligjshëm ka ndërhyrë në kodet e transmetimit të vendit më të madh e të fuqishëm të botës. Kjo përsa i përket atij, përsa i përket pjesës tjetër, ju them lexoni sa më shumë. Ato, siç e keni parë, janë të gjitha një pasqyrë e përditshme e shtypit shqiptar, madje jo tërësisht e plotë njëqind përqind, por aty afër. Ju garantoj se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë të shkëlqyera, vlerësimi për ambasadorin Arvizu është i palëkundur. Ky vend mik e ka shumë të qartë qëndrimin e tij, mbështet shqiptarët e Shqipërinë dhe jo forca të caktuara politike. Tani, të komentoj për akuzat e mediave, ato janë komentuar shumë herë.", përfundoi Berisha.
...