E Shtunë, 31 Tetor 2026

Montobio: PS në Kuvend para 6 marsit, afatit kushtetues për mandatet

 Ambasadori spanjoll në Tiranë, Manuel Montobio, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, i kërkon opozitës të zërë vendet e saj në Parlament para afatit kushtetues, atë të 6 marsit. "Ka një afat kushtetues më 6 mars, për shkak të 6 muajve që duhen për të marrë vendin në Parlament nga deputetet, në këtë rast të opozitës. Ajo që ka thënë BE-ja në çdo kohë, ka qenë që vendi i të gjithë parlamentarëve është në Parlament", - është shprehur Montobio. Këtë deklaratë Ambasadori spanjoll e bëri në një interviste për televizionin 'News 24'. Sipas tij, bojkoti nuk është mënyra për të mbrojtur pozicionin dhe në të njëjtën kohë, një zgjidhje themelore për çështje që janë në tryezë, ashtu si shumë çështje të tjera të rëndësishme për të ardhmen evropiane të shqiptarëve. Duke folur për tryezën e nisur nga Presidenti i Republikës Topi, ambasadori spanjoll në Tiranë e konsideron një hap të rëndësishëm. "Unë mendoj se ky është një hap shumë i rëndësishëm, përpara. Një proverb kinez thotë se; "me një hap mund të nisësh një rrugë prej 3 mijë miljesh", dhe unë shpresoj se ky hap është i pari në rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. është një sfidë, dhe nuk mund të jetë vetëm një hap. Kjo është një rrugë që duhet të vazhdojë. Ka elementë shumë pozitivë që BE-ja i ka inkurajuar", u shpreh Montobio. Ambasadori spanjoll në Tiranë mbështet rolin e Presidentit në këtë nisëm të tij për zgjidhjen e krizës politike në vend, dhe kërkon krijimin e një klime dialogu në politikën shqiptare, si një element i demokracisë. "është shumë e rëndësishme të krijohet kjo klimë. Ne duhet të transformojmë këtë mënyrë thelbësore në mënyrën e të bërit të gjërave në një demokraci, që është dialogu në zgjidhjen konkrete që mund të përshtatet sipas procedurave që të çojnë tek integrimi i opozitës në Parlament", u shpreh Montobio. Ambasadori i Spanjës në Tiranë shprehet se ka një kalendar politik dhe një kuadër institucional, madje dhe një sërë marrëdhëniesh mes Shqipërisë dhe komunitetit ndërkombëtar, dhe BE në veçanti, duke kërkuar një klimë bashkëpunimi në politikën shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›