Meta: Tryeza, fund bojkotit të PS-së
BLEDAR HOTINumri dy i qeverisë, Ilir Meta është optimist për një zgjidhje të situatës politike në vend duke e lidhur me dhënien fund nga ana e PS-së të bojkotit parlamentar. Zv.kryeminsitri shprehet në të njëjtën kohë se dialogu mes krerëve të PD-së dhe PS-së, Berisha dhe Rama, i zhvilluar me ndërmjetësimin e kreut të shtetit, Bamir Topi, nuk duhet të dalë mbi vendimet e gjykatave. Këto komente kryediplomati i bëri gjatë konferencës që pati dje me homologun e tij slloven Samuel Žbogar. "Natyrisht ne na vjen keq që ka një bojkot të pajustifikuar të opozitës, ashtu sikurse kemi besim se kjo çështje do të zgjidhet për arsye se qeveria dhe mazhoranca kanë qenë dhe janë të hapura që t'i ofrojnë të gjitha mundësitë opozitës që të luajë rolin e saj në Parlament, që të çojë përpara të gjithë pretendimet e saj. E vetmja gjë që ne nuk mund të bëjmë është të dalim mbi vendimin e gjykatave", deklaroi Meta. Numri dy i qeverisë i bëri apel liderit të PS-së të heqë dorë nga kërkesat, pasi ato rrezikojnë shkeljen e pavarësisë së gjykatave. "Ne besojmë në një ndërgjegjësim më të madh të lidershpit të opozitës, sepse një shtet ku nuk respektohet pavarësia e gjykatave, nuk mund të quhet një shtet demokratik dhe aq më tepër një shtet i cili ecën seriozisht në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian", tha Meta. Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm bëri të ditur gjithashtu nisjen e procedurave nga ana e qeverisë shqiptare për ripërcaktimin e koordinatave detare me Greqinë. Marrëveshja e përcaktimit të kufirit detar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese shqiptare me argumentin se ajo nuk ishte marrë plotfuqia e presidentit për grupin e negociatave shqiptaro-grek, si dhe shkel Konventën e OKB-së për të drejtën e Detit të vitit 1982. Këto dy fakte të dhëna nga gjykata supreme shqiptare bënë që marrëveshja për kufirin detar mes dy vendeve Shqipërisë dhe Greqisë të mos njihej, duke sjellë dhe bllokimin e votimit për ratifikimin e saj në Parlament. Pakti me Greqinë u nënshkrua një vit më parë. Ndërsa mësohet se qeveritë e të dy vendeve po eksplorojnë të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese që marrëveshja e re të mos pësojë fatin e të parës.Komisioni i përbashkët shqiptaro-sllovenGjatë vizitës së tij në Slloveni, Meta bëri të ditur ngritjen e një komisioni të përbashkët shqiptaro-slloven për tregtinë dhe ekonominë. Në takimet e kryediplomatit shqiptar me ministrin e Jashtëm, Zhbogar, kryetarin e Parlamentit, Pavel Gantar dhe presidentin e Sllovenisë, Danilo Turk, dy çështjet më kryesore të diskutuara ishin mbështetja për integrimin evropian të Shqipërisë dhe liberalizimi i vizave. Një tjetër temë e bisedimeve ka qenë edhe bashkëpunimi ekonomik. Të dy palët janë angazhuar të nxisin sipërmarrësit sllovenë të investojnë në Shqipëri. "Shqipëria ofron shanse të mëdha për investitorët sllovenë, pasi ajo i ka shpëtuar efekteve drastike të krizës globale ekonomike", u shpreh Meta, gjatë një takimi me Presidentin e Sllovenisë, Danilo Turk. Presidenti slloven gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët u shpreh se përkushtimi politik i Sllovenisë ndaj Shqipërisë do të mbetet i fortë dhe se ky përkushtim duhet të konkretizohet tashmë edhe në terma ekonomikë.