Rudi Vata: Jam kapiten dhe në familje
Sonila MerolliNuk e ka aspak të vështirë të flasë për femrat, sigurisht me çiltërsi thotë se do të kishte preferuar të fliste për futbollin, dashurinë e jetës së tij. Ama sapo e pyet për bashkëshorten dhe dy djemtë e tij, ndryshon kryekëput qëndrim, duke pohuar se tema e intervistës po i duket gjithnjë e më interesante. çka ndodhur në jetën private të Rudi Vatës, përgjatë viteve larg tifozëve të tij. Ish-kapiteni më jetëgjatë i Kombëtares tregon se edhe në planin familjar jeta e ka përkëdhelur, duke i dhuruar përkrah biondinën sy bojqielli, e cila përtej bukurisë, ka një zemër të madhe dhe batuta humori pa fund edhe kur situata nuk të bën aspak të qeshësh. Andaj kur shprehet se ka kaluar 15 vite përkrah Ann Frensis, i duhet t’i numëroje edhe njëherë për të qenë i sigurt. Sekreti?! Ndjenja të pastra, larg hipokrizisë dhe mbi të gjitha përshtatje dhe mirëkuptim kundrejt njëri-tjetrit. Aq e shenjtë e konsideron marrëdhënien, sa kur i kujton “Shën Valentinin” dhe simbolikën e kësaj dite, toni i zërit të tij befas ashpërsohet. Të kuptohemi! Nuk i mungon romantizmi apo përkujdesja, përkundrazi. E irriton hipokrizia e festës, dhe nuk pranon asesi që dashuria të kujtohet me disa dhurata vetëm një ditë në vit.Nga ana tjetër nuk mohon vështirësitë dhe sfidat që jeta ua ka nxjerrë në rrugëtimin e tyre, por këto i duken vogëlsira teksa mendon për dy djemtë e tij, Ruan dhe Roko. Rudi Vata tregon gjithçka për femrën, vendin e saj në shoqëri dhe shumëçka mbi arritjen më të madhe të jetës së tij, familjen. Keni hyrë në 15 vjetorin e martesës suaj. Si kanë qenë këto vite përkrah Ann Frensis?Janë 15 vjet që kanë kaluar shumë shpejt dhe kur e mendon nuk të duket kaq kohë. Ne nuk e kemi ndjerë asnjëherë rëndesën e tyre. Ndoshta ngaqë vetë mënyra e të jetuarit, sa në një vend në një vend tjetër, me stacione të ndryshme na ka ndihmuar mos t’i ndiejmë aspak vitet. Përgjithësisht kemi kaluar qetë, pa drama apo probleme madhorë. Sigurisht që në jetë ka sfida, sakrifica, probleme nga më të ndryshmet. Por e kemi dashur njëri-tjetrin dhe për më tepër “produkti” është dhurata më e bukur që Zoti mund t’i dhurojë njeriut, dy djem të mrekullueshëm, të shëndetshëm, tepër aktivë dhe me një fëmijëri të lumtur. Thatë se keni pasur një jetë me ritëm dhe nuk e keni ndjerë kohën nga transferimet sa nga një ekip në një tjetër. Kur ndërronit skuadër, merrnit familjen me vete apo jetonit vetëm?Gjithmonë me familjen në të gjitha klubet dhe vendet ku kam shkuar. Periudha më e madhe larg familjes ka qenë një muaj ose pak më shumë. Kemi qenë pranë pasi sikurse familja ka pasur nevojë për mbështetjen time, ashtu edhe unë nuk bëja dot pa ta. ç’kuptim do të kishte fjala familje kur nuk je bashkë?A zbehet dashuria me kalimin e viteve në një marrëdhënie? çfarë ka ndryshuar në raportin tuaj? Në radhë të parë kushtet ekonomike janë tejet të rëndësishme në raportet e një çifti dhe në këtë pikë ne kemi qenë të pa rrezikuar. Më pas varet si të ndryshon jeta, pasi siç ecën dhe koha, ashtu kemi ndryshuar edhe ne në çift. E para, se jemi njohur në situata, kur kemi qenë të rinj, rrjedhimisht më të rrëmbyer dhe pasionantë. Tani jemi shumë më të pjekur dhe më me eksperiencë. Si të thuash jemi rritur dhe pjekur në mentalitet dhe në kulturë, pasi vetë jeta në qytete të ndryshme të botës me kulturat larmishme, ku jemi përballur na ka pjekur, kemi fituar më shumë eksperiencë. Pastaj, varet si të vjen jeta, pasi mund të ndryshosh mënyrën e të menduarit dhe kështu ato mospërputhjet në çift sheshohen. E rëndësishme është të përshtatesh dhe të ndryshosh qoftë edhe për njeriun që ke përkrah. Personalisht kam ndryshuar për mirë. Jam rritur, pjekur dhe jam përmirësuar si njeri, kuptohet që karakteri është ai që kam pasur gjithnjë. E rëndësishme është që të kesh pranë një njeri që e vlerëson dhe respekton për vlerat humane. Sigurisht që dashuria është tejet e rëndësishme, por ajo nuk mund të shfaqet me gjeste thjesht sa për sy e faqe. Mendoj se është një ndjenjë e brendshme, që njeriu ia shfaq personit që ka përkrah, siç ka ndodhur në rastin tim. Sa i takon ngjashmërisë them se mashkulli me femrën në disa aspekte duhet të puqen. E para është mënyra sesi e shohin jetën, pak a shumë të kenë të njëjtin formim si dhe parime të ngjashme. Kjo është shumë e rëndësishme. Por mbi të gjitha është besimi që duhet të kenë te sho-shoqi dhe te filozofia e tyre për jetën, ku edhe partneri që ke përkrah duhet të ketë vizion të ngjashëm.Kush nga ju të dy kujdeset apo është më i vëmendshëm?Me thënë të drejtën unë jam larguar nga mamaja ime në moshën 14- vjeçare, që në adoleshencë. Në kohën kur kisha nevojë që një grua të kujdesej për mua, unë kam jetuar i pavarur. Jam tip që kam mësuar shumë nga konviktet, shkollat, pastaj nga vende e ndryshme evropiane ku kam jetuar vetëm. Kësisoj jam tepër tolerant dhe ndjej një përgjegjësi të madhe ndaj marrëdhënieve që kam krijuar. Punoj si në shtëpi, si jashtë saj. Nuk jam një mashkull që e konsideroj gruan si pastruese të shtëpisë sime. Kam mësuar të laj, pastroj, gatuaj, hekuros vetë... Nuk kam pasur kurrë nevojë që një grua të kujdeset në këtë aspekt për mua. Po në aspektin e përkujdesjes ndaj njëri-tjetrit?Nuk mund ta ndaj me vizore, pasi ne kujdesemi të dy ndaj njëri-tjetrit. Jemi natyralë, nuk krijojmë situata të pakëndshme dhe rrallëherë kemi bërë ndonjë sherr. Për sa më takon mua jam tepër i qetë si njeri, kësisoj edhe në jetën time me partneren. Nuk i kam shkaktuar asnjë nga ato situatat e pakëndshme, që meshkuj të tjerë i krijojnë pa u menduar dy herë. E di shumë mirë që femra është një krijesë delikate dhe si të tillë e trajtoj. Nuk më pëlqejnë meshkujt që sillen brutalë ose me përbuzje. Mundohem të jem korrekt dhe i qetë. Për më tepër mundohem mos të krijoj atmosferë të nderë, sidomos tani që fëmijët tanë po rritem. Një situatë e pakëndshme në ambientin familjar, ndikon shumë keq në zhvillimin e tyre.A bëni shpesh dhurata? Jam shumë i dhënë pas vogëlsirave, duke ditur se femrës i përkëdhelet femra nga një përkujdesje e tillë. Ajo që nuk përtyp dot janë dhuratat për festa të planifikuara, aspak spontane dhe që bëhen pa i ndjerë, por për detyrim. Personalisht, sa herë që dal apo udhëtoj nëpër vende të ndryshme, i mbush çantat me dhurata për bashkëshorten, madje kam dhe shije, të paktën kështu më thotë Ann Frensis. Ajo çka dua të them është se përkujdesjet duhet të jenë gjatë gjithë kohës dhe jo vetëm në një ditë në vit. Kërkoni shpesh falje?Jam nga ata meshkuj që kërkoj falje sa herë që gaboj. Nuk mbaj mend tani se për çfarë, ku dhe kur, kam kërkuar falje për herë të fundit, por kur gaboj është veprimi më normal për t’u kryer. Jeta është plot me gabime dhe një burrë i mirë duhet të dijë të kërkojë falje.Keni kaq vite bashkë, a ia keni mësuar nuses shkodranishten, zakonet, kuzhinën tradicionale etj? Po djemve?Që në momentin e parë që jemi njohur, ajo vetë ka tentuar ta mësojë shkodranishten, ka arritur mjaft mirë dhe flet rrjedhshëm. Me kuzhinën shkodrane nuk i ka fort punët mirë, ndërsa me zakonet i ka mësuar gjatë kohës që jetuam këtu. Për sa i takon djemve, duke qenë se në familje flasim më tepër anglisht, pasi shkolla ambienti ku jetojnë flasin anglisht, nuk kam dashur t’i mbingarkoj. Nuk është se dinë tamam shqip, por kuptojnë. Më ka impresionuar djali i madh Ruani, i cili sa vjen e përmirëson komunikimin e tij, falë pushimeve që kalojmë me prindërit e mi, në Shqipëri dhe Mal të Zi.Sipas një klisheje të përgjithshme, një burrë nuk arrin ta njohë asnjëherë plotësisht natyrën e një gruaje. E përkrahni apo e kundërshtoni këtë ide?Nuk mendoj se një burrë duhet ta njohë medoemos një femër në të gjitha skutat e saj. E rëndësishme është të kesh besim te femra që ke përkrah, pasi ajo është gjëja më e rëndësishme në një raport. Nëse ke këtë, i ke të gjitha. Besimi të bën ta njohësh mjaftueshëm dhe ke kuptuar mjaft nga ajo femër.Në familjen tuaj si janë ndarë “pushtetet”? Në këtë aspekt ne nuk kemi role të ndara me thikë, sigurisht që gjithsecili mundohet të japë shembullin sa më pozitiv, te fëmijët tanë. Medoemos më shumë autoritar me fëmijët jam unë, pasi shtëpia duhet të ketë në krye një imazh burrëror. Në këtë aspekt unë e kryej shumë mirë. Përfaqësoj një familje të drejtuar mirë nga një burrë, ashtu sikurse jam rritur edhe unë. Ndërsa roli i femrës luhatet nga vendi ku jeton. Unë prej vitesh kam lidhur jetën me një femër, që vjen nga një tjetër kulturë, larg mentalitetit tonë, një kulturë e përzier skoceze-irlandeze, që ndryshon në shumë aspekt nga tradita jonë. Pavarësisht këtyre, e rëndësishme është që njeriu në thelb të jetë i mirë, që beson tek e mira dhe të krijon shumë lehtësira në familje. Në këtë aspekt e konsideroj veten me shumë fat, pasi prej vitesh kam përkrah një njeri të tillë. Rrjedhimisht, edhe gruaja në familje ka rol tepër të rëndësishëm. Madje ajo është shëmbëlltyra e familjes së shëndoshë, e fëmijëve, një ndihmë e madhe në krah të një mashkulli. Primare është mbështetja ndaj njëri-tjetrit.Përtej roleve si bashkëshorte dhe nënë, cilat janë angazhimet e momentit të Ann Frensis në pikëpamjen profesionale?Kemi pasur disa plane për të hapur një restorant tonin dhe një sallon bukurie, por i takojnë së ardhmes. Momentalisht po punon par-time në profesionin e saj si stiliste. Sigurisht që ka një angazhim të madh për të çuar dhe marrë njërin djalë në shkollë, tjetrin në kopsht, për t’i ndjekur në aktivitetet jashtë shkolle në kurse futbolli, prandaj pjesa më e madhe e ditës kryen më së miri rolin si mama. Mes hapësirave që i krijohen, ndjek aktivitete bamirësie me shoqet e saj, pasi në Britaninë e madhe është një lloj tradite që shumë grupime mbledhin ndihma për plagë të ndryshme sociale, apo tragjedi, si ajo në Haiti. Keni ardhur në Tiranë për të kandiduar si President i FSHF-së, e keni marrë edhe “aprovimin” e Ann Frensis?Ann Frensis më njeh shumë mirë dhe i ka të qarta ambiciet dhe qëllimet e mia. E di që kërkoj nga vetvetja, që dua të rritem profesionalisht, por edhe të jap një shembull pozitiv për gjendjen e mjeruar, ku është katandisur sporti në ditët e sotme. Mbështetja ka qenë gjithmonë maksimale, pasi është për të mirën e karrierës sime, aq më tepër karshi qëllimeve pozitive. Ajo më mbështet gjithnjë.Problemet dhe çështjet e punës i lini jashtë derës së shtëpisë, apo i diskutoni me bashkëshorten? Jeni miq të mirë?Në përgjithësi i diskutoj më të, edhe kur janë të acaruara i marrim me qetësi. Falë Zotit, problemet që na kanë dalë përgjatë rrugëtimit tonë, kanë qenë minimale, të lidhura me realitetin e jashtëm. Jemi të prirur ndaj diskutimit, i kalojmë pa panik dhe pa zhurmë, se besojmë se çdo gjë e ka një zgjidhje në këtë jetëNjë shprehje klishe thotë: “pas burrave të mëdhenj, fshihet gjithnjë një grua e zonja”. E përligj rasti juaj?Bashkëshortja ime është forcë e madhe, sepse ka pozitivitet, çdo gjë e sheh të bardhë. Për më tepër duke pasur sens humori si gjithë skocezët, që janë njerëz të dashur, me zemër të madhe dhe besimtarë të mëdhenj, kjo thënie e përligj më së miri. Kështu që ka qenë një mbështetje e fortë. Jam i bindur se Zoti i mbështet njerëzit e mirë dhe pozitivë, edhe kur i vë përballë provave, gjithsesi shpërblimi në këtë jetë vjen. Nëse ke bërë mirë, mirë do gjesh.çfarë raporti keni me dy djemtë tuaj? I keni ndarë një ju, një bashkëshortja apo ruani rezultatin 3:1? Ato kanë një lidhje tejet të ngushtë më nënën e tyre, me mua ndoshta janë pak më seriozë. Ajo është më tolerante. Duke qenë se fëmijët duan të jenë të lirë, të luajnë, ndërsa mua më pëlqen disiplina, rregulli. Jeta ime është ndërtuar në bazë të disiplinës. Jam i rreptë. Me të ëmën janë më të hapur, më të lirshëm. Nga ana tjetër edhe me mua kalojnë mirë pasi ua plotësoj të gjitha tekat dhe dëshirat. I ndjek aktivitetet e tyre në tenis, not, futboll e sporte të ndryshme. Mundohem t’i jap një shembull të mirë si baba, në mënyrë që të kuptojnë se suksesi vjen me mund, sakrifica dhe djersë, duke respektuar dhe duke trajtuar mirë të tjerët. Deri tani mendoj se jam në rrugë të mbarë me edukimin e tyre. Në fund të fundit ata janë qëllimi për të cilin jetojmë dhe punojmë. E shikoni të ardhmen e djemve tuaj të lidhur me futbollin? Fëmijët janë aktivë dhe me energji të jashtëzakonshme. Duke qenë se futbolli është sport primar në Britaninë e madhe, pse jo. Për më tepër kanë shembullin e mirë në familje, që babai vijon ende të stërvitet. Deri më tani, djali i vogël ka treguar disa shenja të mira, por deri atëherë duhet punë e vazhdueshme. Për sa i përket imazhit që ata kanë për mua, nuk është se kanë shumë kujtime nga kjo pjesë. Kur e kam lënë futbollin, djali ka qenë shumë i vogël, për të më mbajtur mend. Tashmë ata janë rritur. I madhi ka hyrë për tetë, i vogli ka mbushur pesë vjeç. Ju mungon fakti që nuk keni një vajzë?Jo, por kurrë nuk kam qenë kundër të pasurit një vajzë. është një dhuratë në dorën e Zotit, megjithatë jam me fat që kam dy djem të mrekullueshëm, që nuk do t’i ndërroja për asgjë në botë. Të qenit prind është një eksperiencë tepër e bukur dhe e papërshkrueshme, por në të njëjtën kohë dhe me përgjegjësi të mëdha. Ju merr malli për fushën e gjelbër?Nëse britanikët kalojnë kohën e lirë në pube, unë “ushqehem” ende me futbollin. është dashuria më e madhe në jetën time. E kam dashur pa interes dhe ndjesitë, emocionet që më ka dhënë topi, zor se përshkruhen. Pasi kuptova se mund të më jepte për të ngrënë u kthye në profesion.Bashkëshortja më mbështet gjithnjë Ann Frensis më njeh shumë mirë dhe i ka të qarta ambiciet dhe qëllimet e mia. E di që kërkoj nga vetvetja që dua të rritem profesionalisht, por edhe të jap një shembull pozitiv për gjendjen e mjeruar ku është katandisur sporti në ditët e sotme. Mbështetja ka qenë gjithmonë maksimale, pasi është për të mirën e karrierës sime, aq më tepër karshi qëllimeve pozitive. Ajo është forcë e madhe sepse ka pozitivitet, çdo gjë e sheh të bardhë. Për më tepër duke pasur sens humori si gjithë skocezët,që njerëz të dashtun me zemër të madhe dhe besimtarë të mëdhenj, thënia juaj e përligj më së miri. Kështu që ka qenë një mbështetje e fortë. Jam i bindur se Zoti i mbështet njerëzit e mirë dhe pozitiv, edhe kur i vë përballë provave, gjithsesi shpërblimi në këtë jetë vjen. Nëse ke bërë mirë, mirë do gjesh.