Monument natyror/ Rrapi 500-vjeçar në Mallakastër drejt kalbjes, asnjë institucion nuk ndërhyn

Pema 500-vjeçare në fshatin Drizar në Mallakastër rrezikon të thahet, pasi para disa vitesh njëra nga degët e saj është goditur nga rrufeja.
Edhe pse pema është shpallur Monument Natyre dhe është nën kujdesin e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, nga institucionet përkatëse nuk është bërë asnjë ndërhyrje.
Ali Isufi, kryetari i fshatit Drizar disa herë ka kërkuar nga këto institucione ndërhyrje, por deri tani nuk ka asnjë reagim.
Drizari është një nga fshatrat e bashkisë Mallakastër, i njohur jo vetëm për traditat patriotike dhe kulturore, por edhe për rrapin e famshëm, tashmë simbol të tij.
Ky biomonument njihet edhe me emrat ‘’Rrapi i Ujit’’ ose ‘’Rrapi i Vodicës’’ dhe është i vendosur në luginën e ‘’Përroit të That뒒, fare pranë autostradës Levan-Tepelenë.
Banorët mendojnë se ky dru ka një moshë rreth 500-vjeçare dhe i ka rezistuar jo vetëm tallazeve të kohës, por edhe fenomeneve atmosferike.
Më një lartësi mbi 30 m dhe perimetër të trungut afro 8 m, rrapi krijon një kurorë në formë çadre, e cila e ka shndërruar atë në një vend takimi, qëndrimi ose çlodhje ndër shekuj për banorët e zonës dhe karvanët që kalonin asokohe.
Banorët kanë ditur gjatë kohës që ta ruajnë atë siç janë kujdesur për të ruajtur këngët, vallet, zakonet dhe traditat e kësaj zone.
/rtsh.al/