Monument për Kara Mahmut Pashën, vezirin e Shkodrës
Në Bashkinë e Shkodrës u ekspozua boceti fitues i konkursit kombëtar për monumentin e Kara Mahmut Pashë Bushatliut. Në ceremoninë e rastit merrte pjesë dhe kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli, autoritete vendore të Shkodrës, intelektualë, historianë, pasardhës të familjes Bushati, folën për vlerat e padiskutueshme të figurës së Kara Mahmut Pashës. Në gusht të këtij viti, me iniciativën e Bashkisë Shkodër u zhvillua konkursi kombëtar fitues i të cilit është skulptori shkodran Ferit Kola. Monumenti do vendoset në Lagjen Parrucë. Qeveria shqiptare heq të gjitha shpenzimet për këtë vepër. Në fjalën e saj Topalli theksoi se “me vendosjen e këtij monumenti ne nuk i bëjmë nder Kara Mahmut Pashës, por është ai që i ka bërë nder qytetit të Shkodrës dhe jo vetëm atij. Ai i përket atyre liderëve që kanë aftësitë të shohin përtej asaj që sheh pjesa tjetër e shoqërisë dhe që kanë forcë e energji për të ëndërruar për të mirën e vendit të tyre”.
Në veprën “Frati i Bushatlinjve të Shkodrës”, At Zef Pllumi shkruan: “Tue kqyrë sot qytetin tonë, mbes i çuditun e më vjen me u thanë me të madhe: Shkodër, ku i ke burrat e tu? Ku i ke ato që dikur të banë të përmendun në të gjithë botën? Ku është Mehmet Pashë Plaku, themeluesi i vërtetë i famës së këtij qyteti? Ku është i biri Kara Mahmut Pashës, “Asllani i Shkodrës…unë këtu propozoj t’u naltohet nga një përmendore në kala, njani te Kalaja e Shkodrës e tjetri në Parrucë”.
Prof. dr. Stavri Naçi në vitin 1964 shkruante: “Pashallëku i Shkodrës u bë bërthama e shtetit të ardhshëm shqiptar për të cilin në fund të fundit bëhej një luftë çlirimtare. Sundimi i Bushatlinjve ka një rëndësi të veçantë historike jo vetëm në kuadrin lokal, por dhe në atë kombëtar. Nuk është e rastit që kujtimi i tyre u ruajt në kujtesën e popullit si periudhë lufte çlirimtare dhe si e tillë, ndikoi thellë edhe në rilindasit, në ideologët e lëvizjes kombëtare të mëvonshme”.
Kara Mahmud Bushati, i biri i Mehmet Bushatit (Plakut), ngelet një nga pashallarët më me famë të pashallëkut të Shkodrës nën Bushatllitë, themelues i dinastisë së Bushatllive. Trimëritë e Kara MahmutPashë Bushatliutjanë trashëguar në legjenda, këngë e rrëfime të popullit në breza, por pozitive në periudhën e sundimit të tij mbeten dëshira e puna për bashkim, toleranca fetare, politika e jashtme aktive që ai ndoqi dhe për të cilat ekzistojnë dokumenta e botime sllave, turke, italiane, gjermane, austriake. Ai punoi për krijimin e një konfederate ilirike, kryetar i së cilës u zgjodh. Kara Mahmut Pashë Bushatliu u emërua nga Porta e Lartë si vezir i Shkodrës. Efektivisht ai e ka sunduar Shkodrën nga viti 1775, por u njoh zyrtarisht si sundimtar në vitet 1779- 780. Zgjerimi i ndikimit të tij, bëri që Turqia t’i hiqte emërimin e vezirit dhe të dërgonte disa herë ushtri ndëshkuese ndaj tij. Me synimin që të shkëputej nga Turqia ai hyri në kontakte me oborret perandorake të Rusisë dhe të Austrisë. Synimi ambicioz i tij ishte të bëhej sundimtar i gjithë Shqipërisë. Me këtë synim ai organizoi një kuvend në Podgoricë në mars 1786 me qëllim bashkimin e forcave që do të luftonin kundër Turqisë dhe krijimin e Konfederatës Ilirike. Vritet më 22 shtator në afërsi të fshatit Kruz në luftë me malazezët. Koka e tij u nda nga trupi dhe u depozitua në kuvendin e Cetinës, ku dhe ndodhet aktualisht. Sukseset që ai arriti në fuqizimin e Pashallëkut të Shkodrës gjatë 21 viteve që e udhëhoqi, lidhjen me aftësitë e talentin e tij dhe me mbështetjen që siguroi nga shtresa të ndryshme të shoqërisë si feudalë, tregtarë, zejtarë, malësorë. Ai diti të shfrytëzonte momente kritike në qeverinë osmane për të forcuar pozitat e tij brenda pashallëkut. Ndoqi një politikë të urtë sociale, ekonomike, juridike e arsimore.